Ish nënkryetari i Parlamentit Rafis Aliti gjatë emisionit debativ “24 Analiza” në TV 24vesti, ndër të tjerash deklaroi se mandatari nuk ka nevojë të jep asnjë lloj garancie, sepse, “garanci është vetë programi politik i qeverisë së ardhshme”.
“Çfarë do lloj garancie tjetër që do t’i jepet Ivanovit, mendoj se do t’i bëjnë shërbim të madh, sepse do t’i japin një argument në dorë se ja tani u dha një garanci dhe prandaj po e dorëzon mandatin, dhe gjitha ato ndodhi në Kuvendin e RM-së dhe nëpër rrugë do të shkojnë në konto të qeverisë së ardhshme. Pikërisht për këtë nuk duhen t’i jepen Ivanovit garanci plotësuese, sepse garanci e mjaftueshme është vetë programi i qeverisë së ardhshme, mandatin e merr nga qytetarët dhe gjithë këto hapat tjerë të radhës janë vetëm procedura formale që domosdo që duhet të zbatohen kushdo qoftë kryetar shteti”, ka thënë Aliti i BDI-së.
Nëse Ivanovi dëshiron ta shtyjë shtetin edhe më tej në drejtim të izolimit të vendit, në atë drejtim që ta bjerë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit, gjithsesi se ai mund edhe ta bëjë atë. Mirëpo sipas Aliti, ajo është papërgjegjshmëri për cilin do burrështetas.
“Edhe fëmijët e vegjël e dinë se për të realizuar ndryshime kushtetuese, cila do qoftë ajo qeveri duhet të ketë 81 vota të deputetëve, dhe ky koalicion nuk i ka ato numra. Unë do të përsëritem edhe një herë, nuk ekziston platforma e Tiranës, ka një deklaratë të nënshkruar nga partitë politike të shqiptarëve dhe ajo deklaratë është në kuadër të kornizave kushtetuese të RM-së dhe Marrëveshjen paqësore të Ohrit. Nuk mundet kushdo qoftë ai, Ivanovi, Gruevski apo të tjerët t’i trajtojë në atë mënyrë partitë politike shqiptare, sepse shqiptarët janë popull autokton në RM dhe të drejtat e tyre i kërkojnë në kuadër të kornizave kushtetuese të RM-së dhe Marrëveshjen paqësore të Ohrit”, ka theksuar Aliti.