“Tani të gjithë jemi të fokusuar në takimin e radhës atë ndaj Ukrainës, kemi kohë për tu rikuperuar dhe do të jemi gati. Me stafin teknik jemi duke bërë analizë të kundërshtarit dhe po shikojmë të përmirësojmë gabimet nga ndeshja e parë. Ne duhet të dalim në fushë dhe të luajmë atë që dimë më së miri, pasi përballja ndaj Ukrainës do të jetë si një finale për ne”, theksoi Ezgjan Alioski
Fisnik NUHIU
Bukuresht, 15 qershor – Reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e dytë kualifikuese në kuadër të Kampionatit Evropian. Përfaqësuesja e vendit tonë me 17 qershor me fillim prej ora 15:00 në “Arnen Kombëtare Bukuresht” do të përballet me Ukrainën. Reprezentuesi i Maqedonisë, Ezgjan Alioski është shprehur krenar me lojën e treguar ndaj Austrisë, ndërsa thotë se tani jemi fokusuar në takimin e radhës, atë ndaj Ukrainës. “Jemi krenar për ndeshjen që zhvilluam ndaj Austrisë. Rezultati nuk ishte në favorin tonë, por ne duhet të mendojmë pozitivisht. Tani të gjithë jemi të fokusuar në takimin e radhës atë ndaj Ukrainës, kemi kohë për tu rikuperuar dhe do të jemi gati. Me stafin teknik jemi duke bërë analizë të kundërshtarit dhe po shikojmë të përmirësojmë gabimet nga ndeshja e parë. Ne duhet të dalim në fushë dhe të luajmë atë që dimë më së miri, pasi përballja ndaj Ukrainës do të jetë si një finale për ne. Ukraina luan mirë dhe futboll ofensiv. Ata ndaj Holandës shënuan dy gola, në takimin me ne do të jenë favoritë, por kjo është mirë për ne. Kemi kualitet, do të dalim pa frikë dhe me besim për rezultat pozitiv. Ne e dimë saktësisht se çfarë duhet të përmirësojmë dhe e rëndësishme është që të jemi në nivel gjatë 90 minutave. Kemi kualitet të shënomë dy gola edhe nëse jemi në negativë. E rëndësishme është që të besojmë në vetvete dhe tek ekipi”, theksoi Ezgjan Alioski.
Ndryshe, Alioski foli edhe për konfliktin që kishte në fushë me futbollistin austriak, Marko Arnautoviq. Edhe pse në fushë kishte duele të zjarrta me dy futbollistëve, reprezentuesi i përfaqësueses sonë nuk dëshiron të spekulojë se çka ka dëgjuar, ashtu që sharjet e Arnautoviqit i potencon se duhet UEFA ti zgjedh. “Gjatë ndeshjes me Marko Aranautoviqin kishim disa mosmarrëveshje, mirëpo një gjë e tillë është normale të ndodhe në fushë. E mira e kësaj është që pas përfundimit të takimit, ne dy u përshëndetëm. Unë nuk dua të spekuloj se çka kam dëgjuar, por UEFA duhet të sheh më mirë xhirimet dhe të analizojë. Nuk mund të them saktë se çka kam dëgjuar, pasi që është vështirë që të kuptojë. Nëse ka bazë për veprim disiplinor, atëherë le të vendos UEFA”, deklaroi Alioski.
Nga ana tjetër për takimin ndaj Ukrainës ka folur edhe Darko Çurlinov, i cili ka theksuar se në çdo moment është i gatshëm të ndihmojë ekipin. Jam i lumtur që jam pjesë e ekipit në këtë Evropian. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Ndaj Ukrainës personalisht besoj në cilësitë e mia dhe në çdo moment do të jem i gatshëm të ndihmojë ekipin. Çdo përballje në Kampionatin Evropian është i rënde. Duhet që në fushë të fusim 100 për qindshin tonë dhe të jemi në nivel të lartë”, theksoi Çurlinov. (koha.mk)