Bujar KURTAJ
Shkup, 4 korrik – Ekspedita e Shkëndijës sot (e martë) e kompletuar do të udhëtojë për në Moldavi, ku të enjten do të zhvillojë ndeshjen kthyese përballë Daçias. Në ndeshjen e parë të cilën djemtë e trajnerit Qatip Osmani e zhvilluan në stadiumin “Mladost” në Strumicë, arritën fitore të thellë prej 3:0, fitore e cila ka ngritur edhe më shumë atmosferën në skuadër, para ndeshjes kthyese. Por, kuqezinjtë në Moldavi shkojnë në kërkim të një tjetër performance pozitive përmes së cilës do të kërkohet kualifikimi në raundin e dytë në Liga Evropa.
Armend Alimi, para nisjes për në Moldavi, për gazetën KOHA thë se kanë kryer punën e tyre që në ndeshjen e parë, por synimi i tij dhe i shokëve të skuadrës do të jetë që edhe në ndeshjen kthyese të vazhdojnë atë që e ndërtuan në ndeshjen e parë. “Kemi bërë realisht punë shumë të mirë në takimin e parë dhe kjo na mundëson të shkojmë shumë më të qetë në takimin e kthimit. Mirëpo, kjo nuk donë të thotë se kemi kryer punën rreth kualifikimit, përkundrazi na presin edhe 90-të minuta të vështirë ku ne do të kërkojmë të vazhdojmë atë që ndërtuam në takimin e parë. Rezultati 3:0 na mundëson ndoshta edhe të taktizojmë, por ne shkojmë në Moldavi për fitore të re”, Armend Alimi.
Ndryshe, ekspedita kuqezi siç thamë sot (e martë) në mëngjes do të udhëtojë në Moldavi, të nesërmen (e mërkurë) do të realizojë stërvitjen zyrtare në stadiumin “Moldova”, ndërsa të enjten me fillim në ora 16.00 do të zhvillon ndeshjen kthyese të Liga Evropës.