Shkup, 24 korrik – Skuadra e Shkëndijës në kuadër të raundit të dytë në Ligën e kampionëve, sonte (e martë) me fillim në ora 20.15 në stadiumin “Filipi i dytë” do të përballet me kampionin e Moldavisë, Sheriff Tiraspol. Pas arriti të eliminojë skuadrën nga Uellsi, TNS, djemtë e trajnerit Qatip Osmani vëmendjen e kanë rikthyer kah dueli i sotëm, një rival shumë më serioz, derisa, paralel me përgatitjen e lojës në bazë të kundërshtarit, stafi teknik lojtarëve u ka potencuar eliminimin e gabimeve të shfaqura në përballjen e fundit në Uells ku kuqezinjtë pësuan disfatë prej 4-0.
Trajneri Osmani pohon se djemtë e tij i pret një përballje e rëndë kundër kampionit të Moldavisë, Sherif Tiraspol, megjithatë ai potencon se janë të gatshëm për sfidën që i pret, derisa numri një i kuqezinjve u ndal edhe në humbjen e thellë nga TNS në ndeshjen kthyese në Uells. “Sigurisht se pas asaj humbje 4-0 në Uells nuk është njësoj. Gjatë ditëve të fundit kemi punuar në aspektin psikologjik me lojtarët, ndërsa me disa prej tyre edhe individualisht. Jemi munduar ta sjellim situatën në gjendje normale për të rikthyer vetëbesimin. Jemi të gatshëm për këtë sfidë. Kundërshtarin e kemi analizuar mirë dhe bëhet fjalë për një skuadër kualitative. Jemi të gatshëm ti eliminojmë dhe të vazhdojmë tutje”, deklaroi para mediave Osmani, i cili konfirmoi se në vend të Marjan Radeskit, ndaj Sherif Tiraspolit do të luajë Remzifaik Selmani.
Në anën tjetër, kapiteni Armend Alimi ashtu sikurse ndaj TNS, edhe ndaj Sherif Tiraspolit dëshiron fitore pa pranuar gol. “Ndaj Sherif Tiraspolit në ndeshjen e sotme si vendas dëshiroj fitore pa pranuar gol. Do të synojmë të luajmë lojën tonë më të mirë dhe në anën tjetër të ndalim sulmin e tyre, pasi sulmi është arma më e fortë e tyre. Ftoj tifozët të vijnë në numër sa më të madh, pasi ata janë forca shtyse e jona dhe me përkrahjen e tyre besojmë se do të japim më të mirën për të mundur skuadrën e Sherifit”, deklaroi Alimi. Ndërkohë, nëse skuadra e Shkëndijës arrin që të kualifikohet në xhiron e tretë, atëherë ata do të përballen me skuadrën e Sallzburgut nga Austria.