Alimi: Jemi më të fortë dhe të dielën me ndihmën e tifozëve të festojmë fitore të re

5

Shkup, 17 shkurt – Skuadra e Shkëndijës sot para tifozëve të saj do të jetë presë skuadrën e Vardarit, që është edhe derbi i javës së parë në sezonin pranveror në Ligën e parë futbollistike.  Pra nga ora 14:00 kuqezinjtë do të kenë një mbështetje të madhe nga publik i tyre në tentim për të fituar betejën e parë pranverore.

Me Agim Ibraimin në skuadër, si lëvizja më pikante e mekratos dimërore jo vetëm në Shkëndijë, por në gjithë Ligën vendore, trajneri Osmani tashmë ka vendosur për formacionin që do t’i besohet barra në ndeshjen hapëse të gjysmësezonit pranverorë.

Përballë Shkëndijës do të jetë rivali i rregullt në luftën për titull viteve të fundit. Kuqezinjtë tanë këtë betejë e fituan në mënyrë shumë bindëse sezonin e kaluar, ndërsa kërkohet përsëritje edhe në këtë kampanjë. Për momentin Shkëndija ka pesë pikë më shumë se Vardari dhe kjo ndeshje është mundësi për të rritur diferencën.

“Pas pauzës mendoj se ndeshja me Vardarin është mënyra më e mirë për të filluar kampionatin. Është një ndeshje mes ndërmjet dy ekipeve më të mëdha në Maqedoni. Pesë vitet e fundit gjithmonë diskutohet ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit. Rivaliteti ka ekzistuar edhe atëherë kur skuadrat ishin jashtë objektivave për titull. Këto ndeshje kanë rëndësi të madhe për tifozët tanë. Goli që e kam shënuar, mendoj se është një nga më të veçantë që kam shënuar me Shkëndijën. Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për ne, ndeshje e vështirë. Deri në ato momente nuk shënonim edhe pse kishim shumë raste. Dhe, momenti kur erdhi goli, ishte shumë i veçantë për ne. Vitin e kaluar ishim bindës dhe këtë vit duam të përsërisim atë ecuri. Besoj se jemi më të fortë dhe të dielën me ndihmën e tifozëve të festojmë fitore të re”, u shpreh për dugout.com Armend Alimi, transmeton gazeta KOHA.

Ndryshe, trajneri Qatip Osmani dhe stafi teknik këtë sezon kanë bërë llogaritë pa shërbimet e Besart Ibraimit që operoi ligamentet edhe pse kthimi i tij pritet të ndodh në fund të kampanjës. Stenio Junior është rikuperuar dhe ngadalë pritet të hyjë në rritëm, ndërsa edhe pse punon me grupin sulmuesi Marjan Radeski do të presë edhe pak për t’u kthyer të luajë ndeshje kampionale. Gjithë lojtarët e lartpërmendur ishin llogaritur se do të mungojnë duke ditur natyrën e lëndimeve të tyre, ndërsa dihej që më parë se ndeshjen me Vardarin do ta humbë mbrojtësi i majtë Gledi Mici i cili ka të grumbulluar pesë kartonë të verdhë. Lojtarët tjerë janë të gatshëm për lojë dhe pak orë para ndeshjes trajneri Osmani do të kumtojë formacionin startues.

Comments are closed.