Bartësi i listës në Njësinë e dytë zgjedhore nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ejup Alimi, ka qëndruar të enjten mbrëma në fshatin Sllupçan, ndërsa ka realizuar takim me ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe banorë tjerë të fshatit, raporton gazeta KOHA. Alimi, i shoqëruar edhe nga kandidati i dytë në Njësinë e dytë zgjedhore, deputeti Rexhail Ismaili, po nga ky fshat, ka biseduar për fillimin e fushatës, ndërsa ka siguruar se BDI do të bëjë çmos që zgjedhjet e 11 dhjetorit të zhvillohet në atmosferë korrekte, të drejta dhe, siç ka thënë ai, në atmosferë festive për BDI-në. Mes tjerash, ai ka siguruar se, ashtu siç është punuar deri më tani për Sllupçanin dhe fshatrat tjerë të Likovës, edhe në të ardhmen do të realizohen projekte të rëndësishme për këtë komunë. Gjithashtu, ai ka premtuar se nëpërmjet tij, në Parlament do të dëgjohet edhe zëri i ish-ushtarëve të UÇK-së dhe banorëve tjerë të Sllupçanit dhe Komunës së Likovës. Ndryshe, Ejup Alimi së fundmi ka ushtruar detyrën e Sekretarit shtetëror në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa në vitin 2001, ka qenë një nga komandantët e UÇK-së pikërisht në fshatin Sllupçan. Të enjten mbrëma, vizita e tij u realizua pikërisht në shtëpinë e shokut të tij të luftës që nga Kosova e deri në Sllupçan të Likovës.