Shkup, 5 dhjetor – Besir Alili ka vazhduar me paraqitjet e mira këtë vit. Pasi arriti të shpallet kampion ballkanik në Bursa të Turqisë, mundësi shumë i talentuar, arriti të fitojë medaljen e arit në turnirin e fuqishëm, i cili u mbajt në qytetin bullgar Dimitrovgrad. Në kategorinë deri 35 kilogram, Alili zuri vendin e parë duke e mundur mundësin vendas, ndërsa edhe para se të plasohet në finale, ai ka qenë i pakompromis. Ndryshe, ky nuk ishte suksesi i vetëm për klubin më të suksesshëm shqiptar Liria në këtë eveniment, pasi me medalje u stolisën edhe dy garuesit tjerë, Omer Jusufi dhe Ermal Ramani, të cilët fituan medaljet e argjendta në kategorinë 28 kg dhe 73 kg. Ata në tentimin e tyre për të fituar medaljen e arit, u ndalën nga garuesit turk, por edhe ky rezultat është fantastik për ata por edhe për klubin. Ndryshe, pos KM Liria, në këtë turnir morën pjesë edhe mundës nga Turqia, Moldavia dhe Bullgaria. (koha.mk.)