Që në krye të herës na duhet të sqarojmë se nuk e lidhim aspak me karakterin, por me karrierën e tyre. Naser Aliji mund të konsiderohet pa frikë si një futbollist që ka gabuar shumë në ecurinë e tij, ashtu si sulmuesi italian, Mario Balotelli. Niveli i tyre është shumë larg njëri-tjetrit, por të dy kanë bërë gabime të mëdha. Nëse sulmuesi italian ka humbur miliona euro dhe mbase trofe të rëndësishëm, shqiptari i Maqedonisë ka humbur “thërrime” dhe ekipe.
Aliji bëri gafën e radhës, pasi mbeti sërish pa ekip këtë verë. Nëse vitin e kaluar mund të justifikohet me pabesinë që i bëri skuadra e Kaiserlautern-it, pasi i prishi kontratën më 31 gusht, sivjet, mbrojtësi shqiptar nuk ka pse të ankohet, pasi gaboi pafund vetë. Ai prishi kontratën me ekipin italian të Virtus Entellas dhe kishte në dispozicion gjithë verën për të gjetur skuadër. Nuk i munguan ofertat, pasi kishte dy mundësi interesante në Izrael dhe në Qipro. Ai nuk i pranoi për shkak të fesë.
Ekipi qipriot i Anorthososit kishte një ofertë konkrete për lojtarin madje ia dorëzoi dhe në email dhe priste vetëm firmën, por Aliji nuk e pranoi duke gabuar rëndë. Lojtari tashmë mbetet pa ekip për këtë periudhë kohore të paktën deri në janar. Karriera e 24-vjeçarit futet në kolaps total, pasi në dy vitet e fundit ka qëndruar dy herë pa skuadër minimalisht 6 muaj. Çfarë gafe!