Mbrojtësi i majtë i kombëtares shqiptare të futbollit, Naser Aliji, nuk shqetësohet aspak nga fakti se ndeshja Shqipëri-Izrael ka qenë në fokusin e sulmeve të mundshme terroriste. Me sa duket, në grumbullimin e kombëtares nuk ka arritur ende informacioni i plotë mbi arrestimet e kryera pak ditë më parë në vendin tonë, pasi mbrojtësi është shprehur shumë skeptik ndaj këtyre lajmeve edhe pse vetë FSHF vendosi të zhvendoste ndeshjen për çështje sigurie në Elbasan.
“Nuk duhet t’i besojmë gjithmonë asaj që shkruhet në gazeta”, tha lojtari për të përditshmen zvicerane “Blick”. “Alarmet nuk janë problem për ne. Ne mësuam rreth kësaj teme vetëm nga mediat. Por vazhdojmë të përqendrohemi të ndeshja kundër Izraelit”.
Megjithatë, situata e krijuar në dy ditët e fundit ka lënë të pakënaqur futbollistin, i cili shpresonte që takimi të luhej në Shkodër dhe jo në Elbasan. “Në Elbasan ka vend vetëm për 11 mijë spektatorë. Ndërsa në Shkodër na kanë mbështetur 17 mijë tifozë”, shpjegoi ai.