Urim HASIPI
Tetovë, 3 prill – Stina e pranverës ka shtuar radhët në Repartin e astmës pranë Spitalit Klinik të Tetovës. Kjo, për shkak se në këtë periudhë, ndjeshëm rritet numri i pacientëve që kanë problem me alergjitë e ndryshme, shkruan gazeta KOHA. Mjekët në këtë repart thonë se kjo është periudha kur ka më shumë pacientë. “Pasi që çdo gjë tashmë në natyrë lulëzon, ato njëkohësisht prodhojnë alergjen dhe ndikojnë në rrugët e frymëmarrjes, që është një pikë kryesore për rritjen e numrit të pacientëve, të cilët zakonisht paraqiten me simptoma të ndryshme të rrugëve të epërme të frymëmarrjes dhe në rrugët e poshtme të frymëmarrjes. Në pjesët e epërme zakonisht janë në hundë, që manifestohet me zënie të hundës, teshtitje me kollë dhe kjo është si një rinit alergjik. Këto shkaktohen nga drunjtë, gjethet, lulet e kështu me radhë”, deklaroi për KOHA, Mursel Sherifi, udhëheqës i Repartit të astmës pranë Spitalit Klinik të Tetovës. Sipas tij, zakonisht më të prekur nga kjo sëmundje janë pacientët e moshës së re, por nuk përjashtohen edhe moshat tjera. “Sëmundjet alergjike janë specifike zakonisht për moshën e re, për fëmijë, të rinj, por edhe te mosha 45 e 50 vjeçare. Kjo manifestohet me interaksionin e alergjenit, me sistemin imunologjik të organizmit ku lirohen disa substanca ndërmjetësuese, siç njihen në mjekësi si leukotrien. Këta ngushtojnë rrugët e frymëmarrjes dhe zakonisht pacientët kanë teshtitje ose kollë të thatë, skuqje të syve, lotim dhe frymëmarrje të vështirësuar”, thekson Sherifi.
Por, kjo situatë me rritje të numrit të pacientëve në mënyrë enorme me alergji, nuk ka qenë e njohur para 30 viteve.“Sëmundjet alergjike dikur nuk kanë qenë të njohura, kanë filluar të diagnostifikohen para 30 vitesh në nivel të dukshëm. Ka një tendencë të rritjes dhe në 20 vitet e ardhshme popullata do të jetë shumë më e ndjeshme ndaj kësaj sëmundje. Këtë e bën mënyra e jetesës, ushqimit, stresi. Pra, në pranverë ne kemi më shumë pacientë, më tepër kemi ditë pushimi te të punësuarit që kanë këtë sëmundje, ditë të humbura nga nxënësit që janë në shkollë po ashtu me alergji të pacientëve të moshës rinore”, theksoi Sherifi. Përndryshe, sipas mjekëve, Tetova apo Pollogu në përgjithësi, nuk kanë ndonjë karakteristikë të veçantë sa i përket kësaj sëmundje, por edhe nuk ka ndonjë statistikë se sa është numri i pacientëve me këtë sëmundje në Tetovë. Në ndërkohë, në këtë rajon nuk mungojnë edhe alergjitë e vjeshtës. Sipas mjekëve, kur gjethet fillojnë të bien dhe moti të ftohet, shumë alergjenë mund të shkaktojnë simptome të alergjisë. Alergjia e vjeshtës, sipas mjekëve, është një problematikë mjaft shqetësuese, sepse jo rrallë, trajtohet si ftohje e zakonshme apo gjendje gripoze dhe si pasojë nuk merr trajtimin e duhur. ”Shkaktarët e alergjive të vjeshtës janë të ndryshëm dhe mund të shkaktojnë simptome sikurse poleni në pranverë dhe verë. Vazhdimi i motit të mirë dhe temperaturat e larta jashtë sezonit, mund të ndikojnë në zgjatjen dhe përkeqësimin e simptomave alergjike”, thonë mjekët në këtë repart.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara