Personat, të cilët kanë probleme kronike si astma, diabeti dhe sëmundje të zemrës, duhet të kenë kujdes ndaj alergjive. Parandalimi, diagnoza e hershme dhe trajtimi në kohë janë thelbësore për të shmangur pasojat serioze të shëndetit në njerëz, veçanërisht në organet e frymëmarrjes
Delvina KËRLUKU
Shkup, 9 maj – Bashkë me rrezet e diellit dhe aromën e luleve, pranvera sjell edhe alergjitë e ndryshme dhe njerëzit më shumë ankohen prej efekteve jo të mira shëndetësore që shkakton poleni i luleve e pemëve, shkruan gazeta KOHA.
Raportet e mjekëve janë të mbushur me raste të shumta të pacientëve që ankohen nga alergjitë e polenit. Një sqarim më profesional për shkaktarët dhe efektet e polenit, morëm nga mjekja dr.Vesela Hristovska nga klinika “Prima – Med”, e cila sqaron se për çdo vit, numri i të prekurve nga alergjia e polenit rritet dhe në raste të rralla mund të shndërrohet në reagim astmatik. Për atë arsye ajo rekomandon që të mos injorohet nevoja e konsultimit me ekspertë të kësaj fushe, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët me alergji ndaj polenit.
Mjekët japin sqarime të ndryshme sa i përket simptomave që paraqiten prej alergjive të polenit. Sipas pulmologes Sofjane Bellqishta, ndër simptomat e shpeshta janë:lotimi i syve, kruarja e syve, teshtitja, kollitja, skuqja e fytyrës dhe duarve që mund të jenë në formë e puçrrave. Ajo nuk përjashton faktin se edhe imuniteti i dobët i njeriut edhe trashëgimia gjenetike, bëjnë që të preken nga alergjia dhe këta persona duhet t’i shmangen daljes në natyrë.
Për këtë arsye, ajo rekomandon që të përdoren disa masa mekanike, siç janë larja e syve me ujë të pastër dhe masa medikamentoze që zakonisht mund të jenë preparate për larjen e syrit, por edhe preparate anti-kongesive, si dhe anti-histaminikët, si preparat që mund të përdorim nëse zgjatin këto simptome mbi shtatë ditë.
ÇFARË ËSHTË ALERGJIA?
Alergia është ndjeshmëri të disa substancave, të cilat i përthithim,me të cilat bijmë në kontakt me ose i përcjellim përmes ushqimit, përderisa reaksioni alergjik është përgjegjës për sistemin imun të organizmit drejt prurjes së substancave alergjike. Kontakti me të gjitha substancat vjen deri te reaksioni përmes trupave të huaja, alergjenëve dhe trupave të tyre – antitrupave. Antitrupat, të cilat janë përgjegjëse për shfaqjen e reaksionit të alergjive përfshihet në grupin imunoglobine E.
Personat, të cilët janë me probleme kronike si astma, diabeti, dhe sëmundjet e zemrës duhet të kenë kujdes ndaj alergjive. Mjekët thonë se nga alergjitë janë të prekur më shumë pacientët që vuajnë nga astma, të cilët shpesh kanë edhe ndërlikime. Parandalimi, diagnoza e hershme dhe trajtimi në kohë janë thelbësore për të shmangur pasojat serioze të shëndetit në njerëz, veçanërisht në organet e frymëmarrjes. Mjekët për alergjitë paralajmërojnë se niveli i lartë i polenit është në mes orës 10 deri në orën 16 sidomos kur ditët janë me erë, të nxehta dhe të thata, sepse njerëzit të ndjeshëm ndaj reaksioneve alergjike janë të këshilluar që të dalin për shëtitje, por pasdite vonë dhe në ditët në vijim menjëherë pas reshjeve të mëdha.
NJË NË KATËR PERSONA VUAJNË NGA ALERGJIA NË MAQEDONI
Sipas të dhënave statistikore, 1/3 e popullatës në botë vuan nga alergjia. Ndërsa çdo i katërti qytetar i Maqedonisë vuan nga ndonjë lloj alergjie, pa marrë parasysh nëse është alergji ndaj polenit, alergji ndaj barnave, ushqimit, etj. Alergjia gjithashtu është problem te foshnjat dhe të moshuarit. (koha.mk)