Në 12 prill është shënuar Dita e Dritës! Atë dritë që disa mendje skeptike mendojnë që shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë aftësi ta sjellin, kurse unë jam i bindur që jo vetëm do e sjellim, por do bëhemi shembull lirie për të gjithë ato popuj që vuajnë ashtu si ne!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Viti 2020 ka nisur, është i freskët dhe plot energji për njerëzit që sado në qarkun e mallkimeve që kanë vite që nuk i ndahen, janë gati të nisin Marshimin drejt 12 prillit. Kambanat elektorale kanë filluar bien në selitë e partive. Arsenali i premtimeve ka filluar zbrazet. Por situata më e vërtetë që kundërshton çdo “arritje” qeveritare është gjendja e mjerë e popullit. Së shpejti do mbushen rrugët me fotografitë e kinse shpëtimtarëve të njerëzve, por gjithsesi do të vendosen mbi trotuaret ku ecin të papunët, mbi shtëpitë e boshatisura nga emigrimi. Kështu këto pamje kokëforte, janë sfiduese për çdo për çdo penelat të shtirur që përpiqen t’i japin hajdutët e politikës! Vitet migjeniane që po kalon shteti që prej lindjes së tij duket se kanë krijuar një marrëveshje të pashpallur tek njerëzit.
Për njëmijenjë arsye duket se i madhi dhe i vogël janë vendosur në të njëjtën llogore kësaj here, më fort e më këmbëngulës se çdo herë, që ditën e Zgjedhjeve t’i japin fund një robërie të shitur si “rruga drejt zhvillimit” dhe të nisin formimin e një shteti që i do dhe nuk i shet!
Kjo gjë vërehet qartë, dhe nuk aludoj këtu për zyrat e partive, që ja do puna të jenë gjithnjë optimiste në prag fushatës! Unë i referohem njerëzve që banojnë në këtë vend, mjafton që të bisedosh me të papunët ose me skllevërit e punësuar, të dyja palët tashmë kërkojnë lirinë në rrugë të përbashkët! Në shkolla, administratë, supermarkete e dyqane lagjesh, ne fshat e në qytet është kaq e dukshme që të gjithë duan vetëm një gjë: të zhdukin kriminelët politik që na katandisën në këtë gjendje! Po vjen dita e atyre që askush nuk i ka dëgju, më keq, as nuk i kanë lënë të flasin!
Po vjen dita e atyre që janë trajtu si robër të funksionarëve partiak vetëm sepse jan punësuar! Inxhinierë, ekonomistë, mjekë, arkitektë, profesorë, oficerë, me fjalë të tjera: intelektualë që kanë vite që ose janë përzënë në azil ose janë lënë papunë e denigruar brenda kulmit të shtëpisë, tash kanë vendos të flasin, tash janë ngritur në këmbë e në mënyrë organike tash gjenden në një Aleancë të madhe,që po i jep përmasa të jashtëzakonshme Aleancës për Shqiptarët, pasi në thelb ka diçka më të vyer se çdo gjë tjetër, ka: Lirinë! Pra, Aleanca e Lirisë mund të jetë një emërtim tjetër që koha ja ka dhënë kësaj marrëveshje që po ndodh midis partisë ku bëj pjesë dhe njerëzve.
Në 12 prill, të dielën, shumë gjëra duket se nuk do të jenë më kurrë njësoj! Do të ekzekutohen me votë të gjithë ata që guxuan kriminalisht të na vrasin të ardhmen, të na shkelin me këmbë të tashmen, të na kthejnë në robër…
Zgjedhjet e 12 prillit janë mundësi që të gjithë të vendosin drejtësinë në vend! Duhet dhe do t’i vijë fundi kësaj përligjje perfide që i bëhet padrejtësive! Aleanca e Njerëzve tashmë është gati të degdisë njëherë e mirë atë grusht njerëzish të korruptuar me zullumin e madh! Të papunët, të punësuarit e skllavëruar, të rinjtë që nuk mund t’i nxjerrin ëndrrat nga valixhja se nuk kanë jo dritë po as tunel në këtë vend, ata kryesisht jetojnë si në një stacion ku mezi presin trenin e të ikin prej këtu, intelektualët e fyer nga largimi nga puna, intelektualë të punësuar të fyer nga paga qesharake, intelektualë të rrallë me rroga të mira por me burgosje të fjalës së lirë, media që ju kontrollohet deri ngjyra e logove që vendosen në ekran, të varfër, të tradhtuar, me këtë të fundit i kam përmbledhur të gjitha, pra të gjithë këta janë disa nga gjyqtarët e 12 prillit. Thashë disa, sepse pjesa tjetër që mezi pret të votojë e të dëbojë ata që i lanë pa atdhe, janë Mërgimtarët! Personazhe kryesorë të dramave mesjetare mbushur me mërgime popujsh, mërgimtarët janë dëshmitarët kryesorë të krimit politik, të gjenocidit, të shovinizmit që ka ndodhur ditën me diell ndaj çdo njeriu pa përjashtim!
Në 12 prill është shënuar Dita e Dritës! Atë dritë që disa mendje skeptike mendojnë që shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë aftësi ta sjellin, kurse unë jam i bindur që jo vetëm do e sjellim, por do bëhemi shembull lirie për të gjithë ato popuj që vuajnë ashtu si ne! Prej 1 janarit e deri të dielën e dytë të prillit masa e popullit që do të bëj shembjen e statujave që janë ndërtuar me fatin e qindra e mijëra jetësh të pafajshme!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)