Rrethanat po ndryshojnë dhe në gjeopolitkën e re të Ballkanit, mund të krijohet një rirreshtim i ri forcash, ku shqiptarët gjithsesi do të jenë në Aleancën Perëndimore të Adriatikut, ashtu siç ka paralajmëruar edhe Presidentja kroate, përkundrejt serbëve e aleatëve të tjerë ortodoksë, të cilët ende po vuajnë pasojat e sëmundjeve të pashëruara të shovenizmit ballkanik
Nga Emin AZEMI
Shkup, 24 dhjetor – A mundet e kaluara e Ballkanit sërish të shërbejë si nxitje për ndonjë fushë të re lojërash gjeopolitike?
Të shtunën në Beograd, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një takim me kryeministrin grek, bullgar dhe atë rumun. Autostrada të reja, bashkëpunime në energjetikë si dhe pjesëmarrja në organizimin si nikoqir për kampionatin evropian të futbollit, konsiderohen si projekte joshëse të kësaj treshe ortodokse.
Mediat raportuan se pjesëmarrësit në këtë mini-samit ishin shprehur kundër ushtrisë së Kosovës dhe kundër taksës 100% për prodhimet serbe, që e ka vënë kabineti i Kryeministrit Ramush Haradinaj. Rumania, përpos kësaj bëri thirrje që të përshpejtohet edhe integrimi i Serbisë në Bashkimin Europian (BE), duke mos u kushtëzuar me njohje nga Kosova.
Poashtu këto vende, asnjëra, përveç Bullgarisë e cila tashmë udhëhiqet nga një President pro rus, nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është munduar të kamuflojë esencën e këtij takimi, duke thënë se kishte bisedime me kryeministrat e Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë për integrimin evropian, projektet e infrastrukturës, energjinë dhe kandidaturën për organizimin e Kupës Botërore dhe Kampionatit Evropian të Futbollit.
“Ne shprehëm dëshirën tonë dhe shpresoj se përmes këtij Komiteti Nismëtar, do të nisim projektet”, ka thënë Vuçiq. Ai shpjegoi se në dhjetor të vitit 2021, materialet e bashkëpunimeve do të mblidhen dhe do të kryhen, dhe se në qershor të vitit 2022 do të merren vendimet për projektet në fjalë e sidomos për aplikimin për organizim të evropianit 2028, që po synojnë të shpallin kandidaturën e përbashkët
Takimi i tyre ka ngjallur polemika të shumta, për shkak se, sipas mediave kroate ata kanë bërë dhe një marrëveshje që konsiderohet si rrezik për paqen në Ballkan. Mediat kroate në fakt kanë shfaqur alarm, lidhur me këtë dhe kanë paralajmëruar se Presidentja e Kroacisë, Kolinda Kitaroviç do t’i përgjigjet me krijimin e boshtit ku përfshihet Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria e Sllovenia, shkruajnë mediat kroate.
SHQIPTARËT DHE ALEANCA BALLKANIKE
Historikisht, aleancat Ballkanike kanë qenë kundër popujve josllavë dhe për rrjedhojë, ato kanë krijuar dominime të reja, ku është shpërfillur vullneti i shqiptarëve dhe të tjerëve për të krijuar një hapësirë shtetërore kombëtare e cila do të administrohej sipas interesave të tyre. Edhe Aleanca e njohur Ballkanike ishte formua nëpërmjet disa marrëveshjeve nga marsi deri në shtator të 1912 dhe themelet e saj i hodhi traktati Serbi-Bullgari për mënyrën e ndarjeve të territorit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.
Në këtë aleancë morën pjesë : Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi. Sipas këtyre marrëveshjeve të fshehta u parashikua edhe copëtimi i tokave shqiptare prandaj në këtë aleancë qëllimisht nuk u ftua Shqipëria
Sikundër dihet Aleanca Ballkanike (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria) ishte formuar si rrjedhojë e fitoreve të kryengritjeve shqiptare antiosmane e viteve 1909 – 1912. Kjo Aleancë, edhe pse ishte e shpallur kinse kundër Perandorisë Osmane, në fakt ishte formuar për pushtimin e katër vilajeteve shqiptare (Serbia Kosovën, Mali i Zi Shkodrën, Greqia Janinën dhe Bullgaria Manastirin). Aleanca në fjalë kishte projekt sekret, që parashihet ndarjen e katër vilajeteve shqiptare në mes të tyre. Në formimin e aleancës në fjalë, rol të rëndësishëm apo vendimtar ka luajtur pansllavizmi rus, ndonëse kundër Aleancës Ballkanike ishte Perandoria Habsburge (Austria).
Aleatët Ballkanik përdorën, si gjithnjë metoda perfide për të mos zbuluar qëllimet e tyre përfundimtare, andaj ata nuk i shpallën luftë Perandorisë Osmane, në fakt shqiptarëve, deri në tetor 1912. Kjo ndodhi në kohën kur Porta e Lartë ishte e detyruar të pranoj kërkesat e shqiptarëve, përkatësisht autonominë e katër vilajeteve shqiptare dhe në momentin që aleatët ballkanik dëgjuan për këtë, në fakt kuptuan se ky ishte hapi i parë drejt Pavarësisë së Shqipërisë , gjegjësisht kupto trojeve shqiptare dhe për të mos pasur mundësi që të konsolidohet autonomia e Shqipërisë, pas dy muajsh (tetor 1912), ata (aleatët ballkanikë), në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane, shtrinë operacionet e tyre pushtuese drejt tokave shqiptare .
Prandaj, jorastësisht, viktimë kryesore e Luftës së Parë Ballkanike, u bënë shqiptarët, sepse territori ku u zhvillua kjo luftë pothuajse tërësisht ishin trojet shqiptare, kurse betejat kryesore që u zhvilluan ishin ato në territoret shqiptare. Të përkujtojmë Betejën e Kumanovës (22-24 tetor 1912). Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e tyre, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.
Duke folur për kontekstin e këtyre zhvillimeve, ku në fokus ishte beteja në mes të vendasve (shqiptarëve) dhe pushtuesve që po iknin, turqve, dhe atyre që po vinin, serbëve, historiani i njohur amerikan, Ferdinand Schevill, për luftëtar e vitit 1912 – 13, shkruan:” Nëse problemi shqiptar do të zgjidhej përfundimisht, atëherë vendet aleate do t’i gjenin dyert e mbyllura në perëndim. Të alarmuar nga përpjekja e shqiptarëve për ta kurorëzuar pavarësinë kombëtare, ministrat e jashtëm të vendeve aleate e fiksuan sulmin në vjeshtë”.
SHQIPTARËT, SHTYLLË E ALEANCËS PERËNDIMORE TË ADRIATIKUT
Por rrethanat po ndryshojnë dhe në gjeopolitkën e re të Ballkanit, mund të krijohet një rirreshtim i ri forcash, ku shqiptarët gjithsesi do të jenë në Aleancën Perëndimore të Adriatikut, ashtu siç ka paralajmëruar edhe Presidentja kroate. Në këtë Aleancë, për here të parë do të ndodhet edhe një ish partner pansllavist, Mali i Zi, i cili tash e tutje do të shkëpus çfarëdo lidhje tokësore të Moskës dhe Beogradit me Adriatikun dhe në këtë mënyrë influenca euro-atlantike bëhet edhe më substaciale.
Pas njëqind viteve, kur aleancat kishin monopolin e dominimit sllavo-ortodoks, po ndodhë një kthesë radikale në favor të frymës Perëndimore, ku shqiptarët me qëndrimet dhe sjelljet e tyre, po e dëshmojnë veten se i takojnë kësaj fryme, duke e konfirmuar këtë edhe në praktikë. Kosova përfundimisht po e projekton vetë rrugëtimin e saj, kurse shqiptarët në Maqedoni gjithnjë e më tepër po dëshmojnë se janë aseti më properëndimor në “bursën” e re gjeopolitike të Ballkanit dhe më gjerë. Maqedonia si shtet ka gjasa të vazhdojë të mbijetojë si një Zvicër e Ballkanit, por me kusht që në të ardhmen politikat zhvillimore të jenë në koherencë me realitetin etnik e social në terren.
Shqiptarët në të ardhmen do të jenë shtyllë mjaft e fuqishme e Aleancës Perëndimore të Adriatikut , duke rikonfirmuar edhe njëherë prirjen civilizuese oksidentale, përkundrejt serbëve e aleatëve të tjerë ortodoksë, të cilët ende po vuajnë pasojat e sëmundjeve të pashëruara të shovinizmit ballkanik. (koha.mk)