Aleanca e populistëve: Bëjmë mirë të përgatitemi

Timothy GARTON ASH

Këtë javë u inaugurua jo vetëm presidenca e Donald Trumpit, por edhe një epokë e re e nacionalizmit. Trumpi reshtohet tashmë krah rusit Vladimir Putin, indianit Narendra Modi, kinezit Xi Jinping, turkut Rexhep Erdogan, dhe udhëheqësve të tjerë nacionalistë në të gjithë globin. Edhe pse nuk do të ishte korrekte ta quanim nacionaliste Theresa Mayn, zgjedhja e saj për një “hard Brexit” reflekton trysninë e nacionalizmit anglez mbi të djathtën britanike, dhe do të nxisë nacionalizma të tjerë. Epokat me shenjën e nacionalizmit nuk janë një risi, por pikërisht sepse i kemi parë tashmë, e dimë që shpesh herë fillojnë plot shpresa të bukura, dhe përfundojnë në tragjedi. Për momentin, nacionalistët aprovojnë njëri-tjetrin me gjestin trumpian, duke ngritur gishtin e madh, nga njëri breg i Atlantikut në tjetrin. Paul Nuttall, udhëheqës i partisë për pavarësi të Mbretërisë së Bashkuar (Ukip) shprehet “entuziast” për Trumpin, që nga ana e tij, i intervistuar nga Michael Gove në “Time”, thotë se “Brexit” do të tregojë që ka qenë një gjë shumë e mirë. Në një fotografi Gove, mbështetës i Brexit, ngre gishtin e madh i kthyer nga Trumpi, me shprehjen e një fansi adoleshent të “Star Trek”, që sapo ka fituar dhjetë sekonda me Patrick Steuart. Zëvendës presidentja e Frontit Nacional në Francë ka reaguar ndaj fjalimit të Mayt mbi Brexit, duke bërë thirrje për pavarësi për Francën. E kështu me radhë. Kjo  botë nacionalizmash që forcojnë njëri-tjetrin, është edhe një botë në të cilët fuqia relative e Perëndimit dhe kohezioni i tij janë dobësuar në të dy brigjet e Atlantikut. Efekti frenues i ushtruar prej sigurisë që NATO, nën udhëheqjen e SHBA i garanton Evropës është vënë në rrezik, prej po vetë Uashingtonit. Kemi parë spektaklin e pabesueshëm të liderëve të Rusisë, Turqisë dhe Iranit, të bashkuar për të firmosur një marrëveshje cinike mbi Sirinë. Fakti që në tryezën e tratativave nuk ishin të pranishme as SHBA, as Evropa, ka futur në ekstazë komentatorët turq pro Erdoganit. Duke parë dorështrëngimin mes tre liderëve, më erdhi në mendje karikatura e David Lout, në të cilën Hitleri dhe Stalini, në shtator 1939, përshëndeten mes tyre me një përulje, mu pranë kufomës së një ushtari. Hitleri, i drejtohet Stalinit duke thënë: “jashtëqitja njerëzore, ma pret mendja”, dhe rusi i përgjigjet: “vrasësi i punëtorëve, apo jo?” Sigurisht, kur përmend Hitlerin, rrezikon gjithmonë që të ekzagjerosh. Struktura e ndërvarësisë dhe rendi liberal ndërkombëtar sot është shumë më i fortë se në vitet tridhjetë. Ja pse nacionalisti leninist Xi Jinping foli në Davos, si mbrojtësi i ekonomisë ndërkombëtare të hapur dhe globaliste. E di mirë se prej saj varet ecuria ekonomike e vendit të tij, dhe si pasojë, edhe stabiliteti i regjimit të tij.

Përfaqësuesit e këtyre vendeve përballen me marrëdhëniet ndërkombëtare, në një mënyrë që të kujton fuqitë e mëdha sovrane të tetëqindës, të cilat ndiqnin interesat e veta kombëtare. E shkruaj këtë artikull nga India, dhe disa komente të Ministrit të Jashtëm indian janë një shembull. Përballë perspektivës së një afrimi mes Amerikës së Trumpit dhe Rusisë së Putinit, ka vërejtur se “marrëdhëniet e Indisë me Rusinë janë rritur në dy vitet e fundit, po aq sa edhe lidhjet mes udhëheqësve tanë. Përmirësimi i marrëdhënieve SHBA-Rusi, pra, nuk i dëmton interesat indiane”. Është një nacionalizëm i matur, i frymëzuar nga Realpolitika. Por për vetë natyrën e tyre, nacionalizmat kanë prirjen që herët a vonë, të përplasen. Kështu, vendosmëria e Mayt për të nxjerrë Britaninë e Madhe nga tregu i përbashkët evropian, e vendos në rrugën e përplasjes me nacionalistët skocezë. Gjithashtu, nacionalizmat ekzistojnë në një ekosistem me trysni të lartë, ku mbulimi mediatik është aktiv, nën sytë e publikut, një situatë e cila do ta kishte tmerruar Bismarkun, Disraelin apo carin e Rusisë. Përplasja potenciale më e rëndë ka të bëjë me Kinën dhe SHBA. Sekretari i Shtetit i Trumpit, Rex Tillerson, e ka krahasuar programin kinez të ndërtimit të ishujve artificialë në Detin e jugut të Kinës, me aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke thënë se administrata e re nuk do i lejojë Pekinit qasje në ishuj. Ndërkohë, në Indi admirali Harry B. Harris, në krye të komandës së Paqësorit paralajmëron se “India duhet që të shqetësohet për ndikimin kinez në rajon. Fluksi kinez përjashton atë indian”. Pra, një lojë me shumën zero.

Pjesërisht bëhet fjalë për baletin e zakonshëm të fuqive të mëdha, në konkurrencë për zonat e influencës. Por rreziku i një përplasje detare apo ajrore në Detin kinez nuk është i pamundur. Atëherë, del pyetja, nëse Trumpi dhe Xi kanë inteligjencën, aftësinë politike, këshillimin e duhur dhe hapësirën politike të brendshme të manovrimit, për të bërë një hap pas, duke shmangur shkatërrimin. Karakteri gjaknxehtë, prepotent, narcizist i Trumpit mund të rëndojë. Nga ana tjetër Xi, më i ekuilibruar, ka vënë në lojë një pjesë të madhe të besueshmërisë së tij si udhëheqës i partisë-shtet, në “ëndrrën e tij kineze” (të ribëjmë Kinën e madhe), që do të shkaktonte presione të forta për të mos u tërhequr. Për arsye politike dhe psikologjike, të ashtuquajturit burra të fortë shpesh herë kanë përshtypjen që nuk mund t’i lejojnë vetes të shfaqin dobësi. Nuk po parashikoj luftën e tretë botërore. Por shoh të mundshme një variant modern të krizës së raketave në Kubë. Pra, të mos kemi iluzione. Anthony Scaramucci, zëdhënësi i Trumpit, përpiqet të na bindë që gjërat do të shkojnë mirë, që “ndryshimi që sjell Trumpi do të jetë pozitiv për jetët tona”. Mos u mashtroni. Në vitet e ardhshëm na pret një rrugëtim i rrezikshëm. Bëjmë mirë të përgatitemi. (Guardian)