Në Kosovë burgu është pasuri morale. Miti me lehtësi të madhe shëtit nëpër kohë, qytetërime, … nga e kaluara del në të tashmen, nga e tashmja fluturon në të ardhmen. Miti është sundues tiran. Sepse ka fuqinë e shenjtëruar, bile e them lirisht se edhe fesë ia kalon me ndikim, ose, le ta them me pak modesti, janë aty…barabar
Nga Shaqir ISLAMI
Miti, … si ta nis, … çdo shoqëri i ka mitet e veta. Nuk ka një qytetërim pa mite; e hasim kudo. Narrativi (rrëfimi) është magjia dhe motori i tij. Miti ka ndikim të madh në krijimin e mentalitetit të shoqërisë: mënyrës së të menduarit, të vepruarit, të sjelljes, të komunikimit, të identitetit,… të botëkuptimit. Ai është çimentoja që lidh dhe shtrëngon fort kohezionin e një shoqërie. Miti e krijon mozaikun nga copëza të vogla. Çdo qytetërim qoftë fukara, qoftë i pasur, … i ka pasur, i ka dhe do ketë mite.
Pa mite, rrënohet çdo shoqëri. Dhe, Kosova i ka të vetat. Shoqërinë Kosovare e zotëron miti i burgut. Sot, mitet sajohen dhe prodhohen edhe për qëllime politike. Këto, quhen mite politike. Në Kosovë, miti i burgut është mit politik. Dhe është miti më i fuqishëm në mendësinë kolektive në Kosovë.
Burgu është kredit i madh për një individ. Burgu i fshinë dyshimet, e pajis mbarë fisin, katundin bile dhe rajonin me besueshmëri; me rëndësi është ta kesh etiketën ‘i burgosur politik’ nga dora e ‘shkjaut’. Pastaj, kjo etiketë është pasaportë e veprimit në çdo lëmi; hap dhe mbyll dyert, shtigjet. Sjell bereqet për stërnipër dhe stërmbesa edhe për mbarë fisin. Në Kosovë burgu është pasuri morale. Miti me lehtësi të madhe shëtit nëpër kohë, qytetërime, … nga e kaluara del në të tashmen, nga e tashmja fluturon në të ardhmen. Miti është sundues tiran. Sepse ka fuqinë e shenjtëruar, bile e them lirisht se edhe fesë ia kalon me ndikim, ose, le ta them me pak modesti, janë aty…barabar. Shkurt e shqip miti është pushtues – a të mbërtheu – zor se, të lëshon. Miti të mbërthen dhe të sundon, si fëmija kukullën.
Albini … çka të them … është djalë me fat. Mund ta xhelozojë kush të dojë. Mos të keqkuptohemi, nuk e prin Albini fatin! Në fakt, atë e prin fati! Mes aq protestuesish të zhurmshëm në ato kohëra trazirash në Kosovë, fati e zgjodhi atë. Hop në burg! Midis të shumtëve – me mijëra të burgosur – sërish, e deshi fati burgimi i tij krijoi rezonancë. Fati … si fati më, bën çudira. Kur, e do! Marre u qoftë edhe Surroit, edhe Pacollit me gjithë ato pasuri nuk ia dolën në politikë! Sa të pafat paskëshin qenë ? Por, ndoshta kanë fat në dashuri? Ashtu thoshte rahmetli Selman Shishko: ‘kush s’ka fat në dashuri, ka në kumar’. Ndërsa, djaloshi Albin me xhepa bosh dhe me duart në to, e krijoi lëvizjen e madhe opozitare! I flenë opozita Albinit! Thjesht i ka hije. Ai nuk e do pushtetin, sepse s’ka cilin ta kundërshtojë! Goxha e ka të zhvilluar imagjinatën për ta kundërshtuar çdo hap pozitiv të Kosovës së lodhur, e cila, çalon si luanesha plakë në këtë savanë të gjerë dhe të madhe shtetesh.
Albini e do shumë Kosovën, e ka shumë për zemër, … sa që, për të e bëri burgun. Këtë fakt, ‘E gjithë Kosova e ka ni’ është vargu i një kange “N’tren për Përzeren’. Kosova është lodra e Albinit. Ai mund të bëjë me të ç’të dojë, në vartësi nga tekat dhe veset e tij. Kosova plakë duron. Kur e duroi ‘shkjaun’e dhunshëm- më shumë se një shekull – le t’i durojë një çikë edhe tekat e Albinit. S’bëhet nami! Fundi, fundit … për atë plakë të shëmtuar e bëri burgun.
Prandaj, një pjesë e mirë e shoqërisë e ndihmojnë në këtë pikëpamje. Solidarizohen me tekat e Albinit, pa ditur se pse dhe si,… sikur janë të magjepsur. Ndërsa Kosova plakë vuan dhe duron!
Albini e lodh Kosovën, ia harxhon bosh energjinë sociale. Ai se ka aq shumë me Kosovën, sepse ajo edhe ashtu është e vogël dhe e dobët; ky më shumë e ka me të huajt. Albini jo se nuk i do; i xhelozon të huajt që e duan Kosovën. Askush nuk guxon ta dojë Kosovën, më shumë se Albini. As Thaçi! As Ramushi! Askush! Kjo që i urren miqtë e huaj të Kosovës – jo se vuan nga ksenofobia – e bën për shkak se e xhelozon Kosovën. Kosova është lodra e tij e shenjtë, dhe askush nuk ka të drejtë ta mundojë dhe ta përdhunojë Kosovën, përveç tij. Sa me mjeshtëri dhe zhdërvjelltësi e shpëtoi Kosovën nga përqafimi i UNESKO-s! Me gjithë atë mund dhe imagjinatë që e përdori – vetëm për tre vota – mezi e shpëtoi Republikën e Kosovës nga anëtarësimi në organizatën UNESKO!
Por, këtë vepër patriotike e bëri sërish me ndihmën e ithtarëve të medias së lirë, liderëve të opinionit dhe shumë organizatave qytetare dhe fshatare, të cilat i ndjekin bëmat e Albinit si të magjepsur. Ndonëse, shumicës së kosovarëve s’ua ‘nin’ se, duke e përkrahur ‘fatmirësinë’ e Albinit, e shkaktojnë fatkeqësinë dhe “havarinë” e Kosovës.
(Ky shkrim u botua në Kosovë: Dhjetor, 2015)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)