Prishtinë, 3 shkurt – Kuvendi i Kosovës e votoi sot me shumicë votash liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin për kryeministër të ri dhe e miratoi propozimin e tij për përbërje të Qeverisë së re të Kosovës, transmeton gazeta KOHA.
Propozimi i Kurtit u miratua me 66 vota “për”, dhjetë “të përmbajtur” dhe asnjë “kundër” në Kuvendin 120-anëtarësh të Kosovës. Para aktit të votimit, sallën e Kuvendit e braktisën deputetët e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, ndërsa të përmbajtur ishin dhjetë deputetët e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe.
Kabineti i ardhshëm i Kurtit do të ketë 15 ministri dhe dy zëvedëskryeministra. Nga gjashtë ministri janë ndarë për VV dhe LDK-në, dy do t’i udhëheq Lista Serbe dhe një grupi “G-6” i bashkësive tjera joshumicë etnike.
Ministra nga radhët e Vetëvendosjes janë : Albulena Haxhiu – Drejtësi, Glauk Konjufca – Punë të Jashtme, Besnik Bislimi – Financa, Rozeta Hajdari – Ekonomi, Arben Vitia – Shëndetësi dhe Blerim Reka – Eurointegrime, ndërsa në postin zëvedëskryeministër është zgjedhur Haki Abazi.
Zëvendëskryeministër i parë do të jetë Avdullah Hoti nga LDK-ja, ndërsa ministra nga partia e Isa Mustafës do të jenë Anton Quni – Mbrojtje, Agim Veliu – Punë të Brendshme, Lumir Abdixhiku – Infrastrukturë, Besian Mustafa – Bujqësi, Hikmete Bajrami – Arsim dhe Vlora Durmishi – Kulturë.
Nga përfaqësuesit e Listës Serbe, ministër i Kthimit do të jetë Dalibor Jevtiq, ndërsa ministër i Zhvillimit Rajonal, Ivan Millojeviq.
Anëtar i Kabinetit të Kurtit nga bashkësitë joshumicë etnike do të jetë Emilia Rexhepi, e cila do ta udhëheq dikasterin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
Pas dhënies së betimit, kryeministri i ri i Kosovës mbajti fjalim rasti, ku porositi se do të sundojë në mënyrë transparente, në bazë të vullnetit të qytetarëve.
Kurti premtoi shumë punë për përmirësimin e jetes së të gjithë qytetarëve në shtet, ndërsa në planin e jashtëm theksoi se Kosova do të mbetet në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe do t’i kultivojë lidhjet me vendet aleate, me ç’rast posaçërisht i përmendi Shqipërinë dhe SHBA-në.
“Sot hapim kapitull të ri. Ajo që dukej e pamundur, dukej ashtu vetëm në shikim të parë dhe një popull që e refuzoi nënshtrimin, e bëri ndryshimin. Sot nuk fituan VV-ja dhe LDK-ja, fituan qytetarët e Kosovës, të cilët çdoherë kur ballafaqoheshin me padrejtësi, janë ngritur në këmbë. Premtoj se do të bëhem kryeministër i të gjithëve, do ta dëgjoj zërin e çdo qytetari”, deklaroi Kurti. (koha.mk)