Tiranë, 3 mars – Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, i cili pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, ndodhet në Tiranë, dhe këtë pasdite pati takime të ndara me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe liderin opozitar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Meta, në një njoftim në Fejsbuk, thekson se ky ishte një takim vëllazëror, në të cilin ai e uroi për fitoren, por mbi të gjitha për “procesin e shkëlqyer zgjedhor, që realizoi Kosova”.
“Ndamë shumë ide të vyera për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona dhe përshpejtimin e proceseve integruese, për të garantuar një të ardhme më të mirë dhe të sigurt evropiane, që e meritojnë qytetarët tanë”, shkroi Meta në njoftimin në Fejsbuk pas takimit.
Megjithëse marrëdhëniet e tyre nuk janë ideale, Kurti u prit edhe nga kryeministri Rama, por nuk ka detaje në lidhje me takimin. Ata janë përplasur disa herë për pikëpamje të kundërta mbi çështje të caktuara, së fundmi për iniciativën e “mini-shengenit” ballkanik.
Pas takimit që Kurti e pati me liderin opozitar, Basha, ai njoftoi se e përgëzoi për fitoren dhe shembullin që Kosova i dha Shqipërisë dhe gjithë rajonit për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, megjithëse në kushte pandemike.
“Biseduam për sfidat që ka përpara Shqipëria dhe Kosova. Nënvizova gjatë takimit me zotin Kurti nevojën jetike që ka Shqipëria për ndryshim në zgjedhjet e 25 prillit dhe e garantova se nesër si kryeministër i Shqipërisë do të bëj gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën në funksion të zhvillimit ekonomik, punësimit, njohjes së saj nga vende që ende se kanë bërë si dhe anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare”, njoftoi Basha.
Gjatë ditës, Kurti i prezantoi edhe kandidatët e VV-së në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.