Albert Vallçi është futbollisti tjetër me prejardhje nga Kosova, i cili po shkëlqen në arenën ndërkombëtare.
23-vjeçari që luan në pozitën e mbrojtësit të majtë te skuadra e Red Bull Salzburgut, është i gatshëm t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës, e cila drejtohet nga përzgjedhësi Bernard Challandes.
Vallçi i lindur në Voitsberg të Austrisë luan te skuadra e famshme austriake Red Bull Salzburg, ku u transferua në janar të këtij viti nga FC Wacker. Në kampionatin austriak Vallçi është paraqitur në 19 ndeshje këtë sezon, gjithashtu edhe në OFC-Cup në tri ndeshje, si dhe në Ligën e Evropës në një ndeshje, por vetëm me ish-skuadrën e tij, FC Wacker. Së fundmi mbrojtësin kosovar e kanë takuar menaxheri i përfaqësueses kosovare Bajram Shala, si dhe përzgjedhësi Bernard Challandes. Në një prononcim për gazetën “Zëri” Shala tha se ka qenë një takim i frytshëm me Albertin. “Kemi qenë së bashku me Bernard Challandesin në Austri për të biseduar me Albertin. Ka qenë një takim konstruktiv, por jemi pajtuar të mos marrim vendime të shpejta. Në këtë takim ka pasur sinjale pozitive nga Alberti, të cilit ia kemi sqaruar të gjitha gjërat si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë administrativ”, tha Bajram Shala të martën.
E lavdëron Agim Ademi
Nga ana tjetër edhe i pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka komentuar situatën e Albert Vallçit. Ademi ka thënë se Vallçi është një futbollist tejet cilësor, si dhe për faktin se luan për një skuadër të madhe si Red Bull Salzburgu. “Bëhet fjalë për një futbollist cilësor, duke u bazuar edhe në faktin se ai luan në një klub si Red Bull Salzburgu. Përveç tij, i ftojmë edhe të tjerët që iu rreh zemra për Kosovën të vijnë të luajnë te ne”, tha fillimisht Ademi për gazetën “Zëri”.
Përveç Albert Vallçit, kohëve të fundit është përfolur edhe për ardhje të reja në Përfaqësuesen e Kosovës. Ndër emrat më të lakuar ishin Florent Hadërgjonaj dhe Loret Sadiku. Ndërkaq Ademi thotë se është ende në bisedime me mbrojtësin e Huddersfield Town. “Situata e Hadërgjonajt është e njoftuar, ende jemi në bisedime dhe ende nuk është përcaktuar. Sigurisht se kur të vendoset do të bëhet mediale, sepse është vendim që është duke u pritur nga të gjithë”, vazhdoi Agim Ademi.
Kurse Loret Sadiku, i cili ka shprehur dëshirë të kamotshme për ta përfaqësuar Kosovën, është në një situatë më të ndërlikuar për shkak se në nivelin ndërkombëtar tashmë është paraqitur për Kombëtaren shqiptare. “Për Loret Sadikun po mundohemi që edhe me organet e drejtësisë të vendoset çështja e tij. Loreti është një lojtar shumë i mirë. Më vjen mirë që ai e do Kosovën, pasi ka thënë se ose do të luajë për Kosovën, ose për asnjë ekip tjetër nacional. Uroj që futbollistët e Kosovës ta kenë shëndetin dhe të mos lëndohen në prag të fillimit të ndeshjeve kualifikuese, po ashtu edhe gjatë ndeshjes. I falënderojmë dhe i presim me padurim”, përfundoi Agim Ademi.