Albanopolisi dhe jetësimi kulturor i rrënojave antike

I shtrirë mbi një kodër në jug të rrugës automobilistike që lidh Krujën me Fushë Krujën, qyteti antik i Albanopolisit është një ndër dëshmitë historike më të rëndësishme të periudhës së antikitetit. Mbërritur në ditët tona si një rrënojë, kjo kështjellë i ngjitet shpatit të një kodre, karakteristikë kjo e qytetërimeve të hershme Ilire.

Grupi i arkeologëve shqiptaro-gjerman, vitin e shkuar arritën të zbulonin një sërë objektesh si armë ilire, enë balte, varre bizantine apo buleterione.

“Në Zgërdhesh po gërmojmë tek Akropoli, porta jugore e qytetit dhe përreth kishës. Tek Akropoli ka të dhëna për ndërtime, ndërsa tek kisha kemi zbuluar një sërë varresh”, shprehet arkeologu Thomas Maurer i Universitetit të Frankfurtit. “Origjina e saj e hershme dokumentohet nga Klaud Ptolemeu (90-160) në veprën e tij ‘Gjeografia’, ku është shkruan për popullin Alban dhe përmend toponimin Albanopolis”.

Sot nga ky qytet antik ruhet një fragment muri 90 metra i gjatë që lidh rrënojat e tre kullave. Qyteti përbëhet nga tre rrethime – Akropoli, më i hershmi, Qyteti i Mesëm dhe Qyteti i Vogël. Dy janë monumentet kryesore të fshatit, Kalaja e Zgërdheshit dhe Rrënojat e Kishës në Kodrën e saj, që të dyja dëshmi të kohëve të ndryshme të historisë së vendit.

Përgjegjësi i turizmit në bashkinë e Krujës, Drini Masha, shprehet se “një gjurmë e rëndësishme që përbën karakterin e këtij vendi është udha e lashtë që shpie në kështjellën e Krujës, simboli lidhës mes dy qytetërime, atij ilir me atë arbëror. Përgjatë kësaj udhe tashmë të harruar gjenden tunelet e bazës ushtarake të periudhës socialiste, një episod arkitektonik i kohëve moderne që stolis historinë e këtij vendi me origjinë të lashtë”.

Ky varg zgavrash prej betoni që përshkojnë shkëmbin, duket sikur me hijen e tij i bën roje udhëtarit përgjatë rrugës së vjetër për në Krujë.

Nuk i mungojnë këtij vendi stolitë natyrore si Liqeni i Bacungut dhe Kodra e Zgërdheshit. Zona përreth kodrës së Zgërdheshit përshkohet nga përrenjtë e Cinarit dhe të Lanës. Pozicioni strategjik i kështjellës trashëgon një pamje panoramike të rralle.

Kodra e Zgërdheshit me një lartësi prej 180 metra mbi nivelin e detit shikon në veri Malin i Krujës me kështjellën e saj, mali i Gramtit, kodrat e Krastës dhe në perëndim gjithë pjesa fushore e Fushë Krujës me një fushëpamje që përfundon deri në kodrat e Ishmit. Halili, një fshat me traditë bujqësore e infrastrukturë dinjitoze. Për këtë arsye është menduar që e ardhmja e Zgërdheshit është pashmangshëm e lidhur me jetën e fshatit Halil.

“Objektivi i përgjithshëm i projektit të Lot-it 6 është kthimi i fshatrave në studim, në vende tërheqëse për banorët dhe vizitorët, të përshtatshëm për të jetuar, punuar dhe qëndruar. Në rastin e Zgërdheshit, matricë jetësore e projektit parashikohet të jetë fshati Halil, ndërkohë që rrënojat e braktisura do të shfrytëzojnë heshtjen e tyre, vlerën historike dhe panoramike si një skenografi shfaqesh artistike”, nënvizon Masha.

Ky objektiv synon të udhëhiqet nëpërmjet një vizioni të veçantë për çdo fshat. Në këtë projekt, e ardhmja e Zgërdheshit parafytyrohet si fshati i heshtjes; ri-jetësimi kulturor dhe artistik i rrënojave antike të Albanopolisit propozohet si një lidhje mes së shkuarës dhe të tashmes nëpërmjet krijimit të një qendre të zhvillimit të artit bashkëkohor.

Vizioni synon të realizohet nëpërmjet objektivave specifike për çdo fshat që lindën si rezultat i analizës dhe hulumtimit të kryer gjatë Akademisë së 100 fshatrave.

“Për Zgërdheshin, objektivat janë Krijimi i hapësirave të nevojshme për Art House (rezidencë artistësh), krijimi i infrastrukturës së nevojshme për aksesin në hapësirën e ekspozimit si dhe krijimi i kapaciteteve akomoduese/ pritëse për artistët pjesë te Art House (rezidencës së artistëve)”-, shprehet Masha.

Disa prej projekteve strategjike në funksion të objektivave të synuara janë: rehabilitimit i Kalasë së Albanopolisit, nëpërmjet shfrytëzimit të rrënojave arkeologjike si një ‘skenë’ ekspozimi për vepra të artit bashkëkohor, kthimi i Kalasë në pjesë të rrjetit të qendrave kulturore dhe artistike të Tiranës dhe përfshirja e saj në programin aktiviteteve të kryeqytetit si dhe identifikimi i strukturave pritëse në fshatin Halil, të mundshme për akomodimin e artistëve gjatë periudhës së qëndrimit të tyre në programin e Art House.

Rrënojat antike mendohet të kthehen në disa dhoma në qiell të hapur që mikpresin skulptura ose instalacione të artit bashkëkohor. /atsh/