Interesimet shkencore për shqipen në Itali kishin filluar në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kur arbëreshi Dhimitër Kamarda në vitet ’60 kishte botuar një gramatikë krahasimtare të shqipes, gjuhëtari italian Graziadio Isaia Ascoli ishte mahnitur nga një vepër e atillë. Kështu nga mjediset e kultivuara arbëreshe, flakadani i studimeve albanistike kishte kaluar në duart e gjuhëtarëve italianë, si Francesco Ribezzo, Carlo Tagliavini e Vittore Pisani.
Kjo traditë albanologjike më shumë se njëshekullore në Itali është shkoqitur me dhjetëra kumtesa studiuesish në konferencën shkencore dyditore “Studimet Albanistike në Itali”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Në konferencën e hapjes të hënën, që i parapriu seancave shkencore, të pranishmit kanë mbajtur një minutë heshtje për ta nderuar albanologun e ndjerë gjerman, Wilfried Fiedler, i cili ka ndërruar jetë në fillim të shtatorit.
Kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, ka thënë se studimet albanologjike në Kosovë vazhdojnë të jenë një shtyllë e rëndësishme e punës shkencore.
“Edhe më shumë se kaq, në 70 vjetët e fundit, albanologjia në Kosovë u bë sinonim i identitetit dhe përkatësisë, një fushë ku ndodhën përplasje të mëdha dhe ku albanologjisë ndonjëherë iu dha roli i armikut të shtetit, madje edhe të ndonjë ideologjie të tërë”, ka thënë ai.
Ndërkaq kryetari i Këshillit organizues të konferencës, akademik Rexhep Ismajli, ka thënë se edhe në të ardhmen duhet të ketë veprimtari të ngjashme për vlerësimin e studimeve albanistike.
Ai ka vlerësuar se studimet për shqipen dhe shqiptarët në Itali kanë qenë të ndërlidhura me interesimin që ky vend ka pasur si për arbëreshët, ashtu edhe për popullatat e tjera përtej Adriatikut.
Në fokus të studiuesve italianë, sipas Ismajlit, ka qenë gjithmonë raporti mes shqipes, latinishtes dhe romanitetit ballkanik.
“Nuk është e rastit që pikërisht në Itali kemi botime me peshë për traditën e studimit e dokumentimit të shqipes, si Fjalori i parë i Frang Bardhit më 1635, ‘Gramatika’ e Françesko Maria Da Leçes, një autor italian, për të vijuar pastaj me studime të përdegëzuara”, ka shtuar ai.
Derisa ka vlerësuar kontributet e dijetarëve arbëreshë, Ismajli ka thënë se tashmë është krijuar “një traditë që është përhapur në Universitetin e Kozencës, Palermos, Napolit, Romës, Leçias e Venecias”.
Kumtesa e Seit Mansakut ka trajtuar disa nga pikëpamjet e Vittore Pisanit në lidhje me prejardhjen e gjuhës shqipe.
Një gjuhëtar tjetër italian që kishte ngulmuar në prejardhjen joilire të shqipes kishte qenë edhe Giuliano Bonfante (1904 – 2005). Akademik Rexhep Ismajli në kumtesën e tij ka shpërfaqur idetë e studiuesit italian për shqipen, teksa ka shqyrtuar shkurtimisht edhe disa prej argumenteve të tij.
Franceso Altimari, profesor arbëresh në Universitetin e Kalabrisë, në kumtesën e tij ka shqyrtuar ballkanizmat në ndërtimet foljore të të folmeve arbëreshe të Italisë. Ndërkaq kumtesa e Leonardo Mario Savoias mbi rreshtat klitikë në dialektet shqipe dhe ato arbëreshe ka përmbyllur seancën e parë të konferencës.
Ndërkaq në seancën në vazhdim, të drejtuar nga Floresha Dado, Sabri Hamiti dhe Matteo Mandalà, kumtesat ishin të përqendruara kryesisht në aspekte të letërsisë.
Me kumtesa të tjera mbi aspekte albanologjike në Itali është vijuar edhe në seancën e tretë të konferencës. (Koha Ditore)