Karriera e saj nisi mbarë dhe mjaft suksesshëm në Shqipëri, derisa ajo vendosi të shpërngulet në Londër dhe të integrohet në një tjetër fushë – atë të sipërmarrjes. Bëhet fjalë për këngëtaren Albana Qato, të cilën e mbajmë mend nga hiti “Nuse 2” në bashkëpunim me kantautorin B2N, këngë që shënoi një arritje të madhe në karrierën e saj. Pas një shkëputjeje të gjatë për t’u përshtatur me ambientin londinez, Albana vendos t’i kthehet muzikës nëpërmjet një bashkëpunimi ndërkombëtar me Roach Killa, me titull “Aromë dashnie”, i cili premton shumë për suksesin e Albanës në dimensionin internacional
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Albana, sapo u lancua kënga jote “Aromë dashnie” pas një mungese të gjatë në tregun muzikor, u përgatite gjatë për këtë projekt?
Po kënga “Aromë dashnie” u desh pak kohë të përfundonte si projekt, për të vetmin fakt sepse jam në një vend të huaj dhe me ata të cilët punoj nuk janë shqiptar. Është e vështirë ta kuptojnë muzikën tonë dhe atë çfarë unë kërkoj. Rezultati doli i mirë sepse instrumentalen e bëra sipas prefenrencave të tyre, ndërsa tekstin dhe melodinë e punova me kompozitorë shqiptarë. Shpresoj ti pëlqej publikut sa më shumë.
KOHA: Si nisi bashkëpunimi mes jush në këtë këngë?
Duke qenë se nuk kam pasur njohje në fushën e muzikës siç kisha në Shqipëri (njohja me artistë, kompozitorë apo studio të ndryshme muzikore) pyesja vazhdimisht shoqërinë se ku mund të interesohesha për një studio të mirëfilltë për të krijuar këngë të reja, duke qenë se dua të rikthehem në muzikë. Një nga shoqet e mia më rekomandoi të shkoja tek kjo studio nga ku djali me të cilin bëra këngën ishte dhe kompozitor madje shume i talentuar. Pasi përfunduam orkestrimin propozimi i tij ishte që të bëhej pjesë e këngës dhe pranova me kënaqësi të bashkëpunoja me të, pasi pashë që është shumë i talentuar dhe njëkohësisht shumë i njohur.
KOHA: Na trego pak, ku ka qenë Albana gjithë këto vite që i ka munguar ekraneve muzikore?
Unë jam larguar nga Shqipëria para 5 vitesh dhe kam filluar një jetë të re në Angli. Në fillim më mori pak kohë të ambientohesha. Pastaj u mora me hapjen e biznesit tim dhe tani mendoj se ishte koha për tu rikthyer.
KOHA: Kënga “Aromë dashnie” duket se të ka lidhur shpirtërisht sepse e ke interpretuar shumë bukur. A ka lidhje personale me ty kjo këngë. I referohet në veçanti dikujt?
Kënga nuk i është dedikuar askujt sepse ketë herë tekstin nuk e kam bërë vetë por Petro Xhori. Këngët e vjetra ndoshta po.
KOHA: Zemra e Albanës nuk besoj se është bosh apo jo?
Zemra ime në këto momente është aq plot, sa nuk ka qenë ndonjëherë më parë…
KOHA: A është e vështirë të mbizotërosh në një treg muzikor si ky që kemi ne?
Besoj është e vështirë, sepse kërkon shumë investim dhe ajo çfarë merr në kthim nuk është ajo që pret dhe dëshiron!
KOHA: Jeta jote mes Londrës dhe Shqipërisë…
Është për tu habitur sepse mua akoma më duket sikur kam ardhur dje në Angli dhe nuk e kam shkëputur ndonjëherë Shqipërinë nga vetja ime. Qoftë për kontaktet me miqtë dhe të afërmit e mi,qoftë për çdo gjë që ndodh në Shqipëri.
KOHA: Rivaliteti i madh, shpeshherë i bën njerëzit edhe të urrejnë kolegët e tyre. Si e komenton ti këtë gjë?
Besoj se rivaliteti ekziston në çdo fushë jo vetëm në muzikë. Unë personalisht nuk jam tip që xhelozohem për arritjet e dikujt,përkundrazi më inspiron për tu përmirësuar dhe për tu ngjitur më lart.
KOHA: Ç’ndikim ushtron familja tek ty?
Familja për mua është gjithçka. Nuk do isha këtu ku jam dhe kjo që jam nëse s’do ishte për familjen time. Besoj se kjo i përmbledh të gjitha!
KOHA: Cila është pika më e fortë e karakterit të Albanës?
Pika ime e fort është këmbëngulja dhe durimi për gjërat që dua të arrij në jetë. Jam tip që nuk dorëzohem lehtë.
KOHA: Ti ke një pamje fizike të admirueshme. Cili është sekreti?
Faleminderit për komplimentin. Besoj se çdo femër kur është e lumtur nga brenda,reflektohet edhe jashtë saj.
KOHA: Në fund na ngeli diçka pa thënë? Projekte që presin të realizohen më tej?
Jam duke punuar me disa projekte të cilat për momentin dua të ngelen enigmë, por di të them që projekti i radhës është punuar nga dora magjike e Fifit.