Shkup, 10 dhjetor – Të trajtosh femrën, dashurinë, kujtimet dhe sfidat… këtë e bën artistja e re kosovare, Albana Ejupi, e cila të martën (12 dhjetor), në Qendrën Informative Kulturore në Shkup, hap ekspozitën personale të titulluar “Shpalosje aktesh dhe sinteza siluetash”.
Veprat e Albanës, mbi 15 të tilla, janë tamam akte të vetmuara të femrave, apo si silueta çiftesh të dashuruar. Vizitorët do të kenë mundësi kësaj radhe të zhyten në botën e kësaj piktoreje relativisht të re nga klasa e profesoreshës Valbona Rexhepi, për t’i spikatur veprat e saj të formateve të mëdha në hapësirën e QIK-ut në Shkup.
“Kjo ekspozitë trajton përmes paraqitjes së akteve apo siluetave tema të ndjeshme si vuajtjet dhe peripetitë jetësore. Më tutje, kjo ekspozitë trajton dashurinë, apo tema të tabuizuara si akti seksual, ndjenjat dhe emocionet që rrjedhin prej tij. Njëherësh, kjo ekspozitë trajton edhe femrën si bartëse e plleshmërisë dhe e përgjegjësisë për krijimin e jetës në përgjithësi – një përmbajtje që na shfaqet qysh nga statujat e kohës së paleolitit të ri ku përmes aktit të femrës paraqitej Venusi”, shkruan në katagolun e ekspozitës kuratorja dr. Penesta Dika.
Të shtrira me këmbë të ndërlidhura, duke e krijuar një kompozicion diagonal prej poshtë majtas në drejtim lart djathtas, përkatësisht prej poshtë djathtas në drejtim lart majtas, si për shembull në veprën “Pa titull 1” (2017), “Ta lësh botën anash” (2017) dhe “Mos m’kqyre se jom n’t’kuqen” (2017), veprat e Albanës u japin dinamikë akteve të paraqitura dhe të lë të mendosh në kompozicionet e barokut ku pozicionimi i figurave theksonte lëvizjen dhe njëkohësisht, duke u shtrirë diagonal në hapësirë dhe duke theksuar dramatikën e paraqitjes.
Veprat e Albanës, pos në kritikën shqiptare, janë vlerësuar lartë edhe në kritikën ndërkombëtare. Max Fullenbaum, kritiku i madh evropian ka komentuar edhe portretet dhe fytyrat e personaliteteve të ndryshme që Albana me shumë mjeshtri i nxjerr në pah.
“Ajo që Albana po pikturonte në fytyrat që mungojnë dhe njëkohësisht janë të pranishme, mund të ketë kuptim të dyfishtë ose trefishtë që shfaqet nga metafizika, nga kalimi i kohës dhe nga historia. Historia do të na kthente në fatin e dhimbshëm kolektiv të shqiptarëve të ndarë, metafizika do të na fliste për paplotësinë ekzistenciale të çdo jete individuale dhe do të na kthente në lëkurën Magjike të Honoré de Balzac. Çfarë mund të themi për këto pikturë? A është ekstremiteti i Courbet i shtyrë deri në ekstremitetin e Albanës, apo anasjelltas? Vullneti për të shënuar një kufi përtej të cilit nuk mund të kalohet? Një vullnet etik? Unë nuk e di, të dy interpretimet janë të mundshme, ndoshta ata bashkëjetojnë…”, shkruan Fullenbaum.
Albana Ejupi u lind më 29 janar 1994 në Prishtinë. Pasi përfundoi shkollimin e mesëm në vitin 2012, aplikoi në Akademinë e Arteve Figurative të Kosovës, ku edhe u pranua që për vitet në vazhdim të jetë pjesë e këtij universiteti. Në vitin 2016, përmbylli ciklin e studimeve Bachelor, në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës – Drejtimi Pikturë, ku edhe mori titullin “studente e dalluar e gjeneratës”.
Në 2017 filloi studimet Master, në klasën e prof.Valbona Rexhepi, që i përmbyllë me ekspozitë personale. Deri tani ka tri ekspozita personale: Në 2017, “Shpalosje Aktesh dhe Sinteza Siluetash” Prishtinë, në 2016 “Kandidimi për Çmimin Nobel” dhe në 2015 “Lufta dhe paqja”, gjithashtu në Prishtinë.
Në ndërkohë, ka marrë pjesë edhe në ekspozita kolektive jashtë Kosovës: ”Art in Process-Process in Art” në Vjenë të Austrisë (2017), “Expo diaspora fine art” në Kunsthaus të Gjermanis (2017), “Expo diaspora fine art” në Veranstalter të Gjermanisë(2017), ”Tetova feston Nëntorin” në Tetovë (2016), ”Çmimi i Nëntorit” në Gostivar (2016), ”Net’rrjet IX-Expoart.40” Prishtinë (2017), ”Muslim Mulliqi” në Prishtinë (2016), ”Ura me tri Harqe” në Tiranë (2016), ”Ura me tri Harqe” në Tiranë (2012) dhe të tjera. Ekspozita e Albanës do të hapet të martën (12 dhjetor), në ora 20 në QIK, në Shkup. (koha.mk)