Vizita e këngëtarëve Alban dhe Beatrix Ramosaj në Greqi ka rezultuar ndër udhëtimet më të këqija që kanë përjetuar.
Artistët ishin në Selanik kur i ndodhi e papritura. Ata kanë zbuluar me anë të postimeve në rrjete sociale se disa persona i kanë thyer xhamin e veturës duke i marrë gjëra me vlerë, përfshirë pasaportat.
“Hera e parë në Greqi dhe na thyen veturën dhe vodhën pasaportat tona, dokumentet e veturës dhe disa gjëra të tjera. Kemi lajmëruar policinë dhe askush nuk është shfaqur ende. Çfarë duhet të bëjmë? Është çmenduri”, ka shkruar Beatrixi në Instastory.
Nuk mungoi as edhe reagimi i Albanit, i cili ka shkruar: “Ok, para se të gjykoni që si mund të hedh një gjë të tillë në Instagram, është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Na vodhën pasaportat e disa dokumente të tjera. Nuk kemi njeri në këtë qytet dhe policia ka mbi një orë e gjysmë që “është rrugës”. Thua të jetë ngaqë jemi shqiptarë? Thua ta kenë bërë se kanë parë targat shqiptare? Apo e bëjnë shpesh këtë gjë këtu? Ç’mikpritje!”.
Të dy i shoqëruan shkrimet me fotografitë e veturës me xhama të thyer./oranews