Tani për tani temë më neuralgjike paraqet “kauza e pambaruar nacionale” e Serbisë në Kosovë, e cila në urën e Ibrit ka skicuar në mënyrë të kamufluar edhe interesat ruse. Brukseli në të ardhmen reflektorët duhet ti fokusojë pikërisht në Kosovë, aty ku kufiri i ndikimit rus mund të ridefinojë ndonjë hartë të re gjeopolitike
Nga Emin AZEMI
Në kohën kur Komisioni Europian po prezanton progres – raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor, Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker u shpreh para Parlamentit Europian se argumenti bazë i ekzekutivit europian për nxitjen e perspektivës së zgjerimit, është evitimi i rikthimit të luftërave në rajonin e Ballkanit.
Përderisa jo shumë larg Juncker ishte kundër zgjerimit në një afat të shkurtër të BE-së, ai tani i ka nxitur ligjdhënësit europian të tregohen të hapur ndaj anëtarësimit të Ballkanit në familjen e përbashkët europiane.
“Nëse nuk hapemi ndaj vendeve në atë rajon aq të ndërlikuar e tragjik dhe nëse nuk hapim një perspektivë europiane për ta, do të shohim një rikthim të luftës në atë zonë, siç dëshmuam në 1990. Unë nuk dua që lufta të kthehet në Ballkan, ndaj na duhet të jemi të hapur për ta”, ka deklaruar Junker.
Ai pastaj ka sqaruar se qysh në samitin e Selanikut në 2003-shën ishte vendosur që t’i jepet një perspektivë e besueshme europiane vendeve të Ballkanit. Junker është koshient për të gjitha vështirësitë që ekzistojnë rreth kësaj çështjeje, por sipas tij pritet që Komisioni Europian do të ketë një debat lidhur me këtë me përfaqësuesen e lartë Federica Mogherini dhe të tjerë.
Deklarata e Presidentit të Komisionit Europian vjen në prag të samitit të përbashkët mes udhëheqësve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit në Sofje, ku pritet në fokus të punimeve të të jetë zhvillimi i mëtejshëm i lidhjeve mes vendeve të rajonit. Ndonëse politikat e zgjerimit nuk kanë ndjekur gjithmonë nevojën e urgjencës për të larguar sa më shumë ndikimin rus në Ballkan, tani po shihet se perspektiva e anëtarësimit në BE është kthyer në një motor nxitës të reformave në Ballkan.
Këto sinjale shpresëdhënëse që vijnë nga Brukseli do të duhej të kuptohen si inkurajim për elitat politike por edhe për shoqëritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të punojnë në avancimin e të gjithë faktorëve që premtojnë qëndrueshmëri politike, institucionale, ekonomike e sociale. Krimi i organizuar dhe korrupsioni, aq shumë të përfolur, po fare pak të çrrënjosur nga mendësia dhe praktikat institucionale, do të jenë edhe një kohë një prej sfidave më madhore që pritet të testojnë gatishmëritë dhe vullnetet e secilit vend veç e veç. Ajo çka aktualisht po ndodhë në këtë fushë, nuk premton ndonjë kthesë radikale, për arsye se shtetet që presin të anëtarësohen në BE ende nuk kanë krijuar strategji efikase për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nëse vazhdohet vetëm me dënimin e opozitarëve dhe lënien anash të njerëzve të pushtetit, krimi dhe korrupsioni do të kenë mundësi të transformohen në praktika të sofistikuara, pa ndonjë kanosje nga sistemi i drejtësisë, i cili aktualisht është i pareformuar dhe shumë i politizuar.
Një sfidë tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë ndikimi rus. Deklaratat e fundit të Presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, japin të kuptojnë se Brukseli me seriozitet e ka marrë çështjen e pasojave të konflikteve të viteve nëntëdhjetë në Ballkan dhe rrezikun e rikthimit të atyre konflikteve. Por, konfliktet nuk mund të kthehen nëse ka çështje të hapura, të cilat shfrytëzohen tinëzisht nga Rusia për të future agjendën e saj të “zgjidhjes” së atyre çështjeve. Tani për tani temë më neuralgjike paraqet “kauza e pambaruar nacionale” e Serbisë në Kosovë, e cila në urën e Ibrit ka skicuar në mënyrë të kamufluar edhe interesat ruse.
Brukseli në të ardhmen reflektorët duhet ti fokusojë pikërisht në Kosovë, aty ku kufiri i ndikimit rus mund të ridefinojë ndonjë hartë të re gjeopolitike. (koha.mk)