Është një sezon dramatik, në shumë drejtime, për Realin e Madridit, që po kthehet dy dekada pas në kohë. Saktësisht 20 vite më parë, prej sezonit 1998-99 me Hiddink e Toshack) Los Blancos nuk kanë humbur 10 ndeshje deri në këtë pikë të sezonit. Në fakt, Reali ka humbur më shumë ndeshje se gjithë sezonin e shkuar me Zidane (9).
“Nuk jemi aspak mirë, për të qenë i ndershëm…”, tha me sinqeritet Casemiro pas ndeshjes së djeshme në kupë, humbur në Leganes. Ishte humbja e parë në 6 vizita në Leganes. Një humbje që erdhi në një ndeshje ku Leganes gjuajti vetëm 3 herë nga brenda zone, sinjal i qartë dobësie për Realin.
Statistikat janë të pamëshirshme: Reali pëson të paktën një gol në 62% të ndeshjeve, ndërkohë që as në sulm nuk shkëlqen, sidomos në kampionat, ku nuk shënonte kaq pak gola prej 25 vitesh…
Ndërrimi i viteve nuk i ka bërë mirë një ekipi që është në vështirësi të mëdha dhe në çdo ndeshje vuan, edhe kur fiton. Në 5 ndeshje në vitin 2019, Reali ka fituar vetëm ndaj Betisit, në një sfidë ku luajti me 3 qendërmbrojtës dhe fitoi me një fat të jashtëzakonshëm, si dhe ka mundur Leganes në vajtjen e kupës, ndaj një rivali që luante me rezerva.
“Nuk ishim të përqendruar”, pranoi pas ndeshjes trajneri Solari, i cili në fakt ka humbur 4 ndeshje deri tani dhe nuk është se po bën më mirë se Lopetegui.
Ndoshta gjërat do të përmirësohen kur të kthehen gjithë të dëmtuarit (Bale, Asensio, Kroos, Courtois, Marcos Llorente, Mariano), por deri në shkurt kur luhet në Champions ndaj Ajax-it Reali ka dy ndeshje shumë delikate në kampionat, Sevilla në 19 janar e Atletico në 10 shkurt, plus Espanyol e Alaves.