Alarm i kuq për Hazardin, vazhdon kalvari i dëmtimeve për belgun e Realit

14

Në fund të pjesës së parë të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve midis Belgjikës dhe Francës, Eden Hazard vuri dorën mbi gju, pasi mori një goditje. Edhe pse ishte në gjendje të vazhdonte të luante sikur të mos I kishte ndodhë gjë, në mes të pjesës së dytë, pasi tentoi një sprint, hodhi vështrimin nga stoli dhe ndodhi ajo që askush në Belgjikë nuk e dëshironte: zëvendësimi i lojtarit të Realit Madridit për shkak të lëndimit. Kalvari i Hazardit me lëndimet duket se po përsëritet. Dy sezone plot ankth nuk kanë mjaftuar për të hedhur pas krahëve problemet me dëmtimet.

“Nuk e di se për çfarë bëhet fjalë, duhet të shohim se çfarë dëmtimi është, mbase është vetëm një goditje, do ta shohim në 24 orët e ardhshme,” – tha trajneri Roberto Martínez në fund të takimit. Në këtë mënyrë, lojtari i Madridit do të duhet t’u nënshtrohet testeve mjekësore në Torino, ku Belgjika do të mbetet e përqendruar në pritje të ndeshjes për vendin e tretë dhe të katërt që do të luhet të dielën në stadiumin e Juventusit, kundër Italisë. Në varësi të asaj që do të përcaktojnë testet, do të vendoset se çfarë do të bëhet me lojtarin e Realit.

Është e qartë se ky episod i ri është një tjetër në historinë e gjatë të lëndimeve të Hazardit. Në sezonet që ai ka qenë në Madrid, ka përjetuar një kalvar me dëmtime, gjë që e ka penguar të luajë në nivelin e tij më të lartë.

Përkundër kësaj, ai ka vazhduar të ketë besimin e Roberto Martínez, madje të jetë titullar i padiskutueshëm te Belgjika. Dëmtimi i fundit pritet të ndezë debatin për blerjen e tij nga Reali për një shifër stratosferike, e cila nuk po justifikohet në fushë nga ish-lojtari i Chelseat.