“Al Qaeda” po tenton që të rekrutojë anëtarë të rinj në Jemen përmes testeve në formë kuisi, ku çmimi kryesor është një armë automatike “AK47”, i mirënjohur si kallashnikov. Militantët e Al Qaedas janë parë sidomos në qytetin jugperëndimor Taiz, ndërsa vendi përgatitet për muajin e shenjtë të Ramazanit, ku kanë vendosur postera për të reklamuar garën me kuise. Banorët tregojnë për mediat se, kuiset janë fletë me pyetje që shpërndahen nga militantët e Al Qaedas. Shumica e pyetjeve përqendrohen në interpretimin ekstrem të Islamit nga Al Qaeda. “Përmend 3 nene të Kushtetutës së Jemenit që shkelin ligjin islamik”, ishte një prej pyetjeve sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Pyetja tjetër kërkonte listimin e 3 referencave nga shkrimet e shenjta, që justifikojnë vrasjen e të pabesëve që nuk ndjekin ligjin islamik. Çmimi i parë, pra për atë që i përgjigjej më shumë pyetjeve, ishte një kallashnikov; çmimi i dytë, një motoçikletë; ndërsa çmimi i tretë, një laptop. Mes çmimeve të tjera përfshiheshin një pistoletë dhe shuma parash deri në 80 dollarë. Sipas Reuters, mbi fletët e provimit islamik nuk ka adresë se ku duhet dorëzuar, por banorët e Taizit thanë se zyrat dhe xhamitë e Al Qaedas në qytet njihen mjaft mirë.