Pyetjet e rëndësishme mbeten dhe vetëm koha do të na japë përgjigje. A do të ngrihen aktakuzat në një fazë kritike të dialogut? A do të ngrejë akuzat Prokurori Special për Thaçin, Haradinaj, Veselin dhe Limajn, të cilët në atë kohë mund të përfshihen në negociatat në nivelin më të lartë? Nëse po, a mund të shkatërrohen bisedimet? A mund të rrëzohet qeveria aktuale e Kosovës, dhe të kërkojë zgjedhje të reja?
Nga Dean B. PINELES
Nëse ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët tani janë zyrtarë të lartë politik, janë paditur nga gjykata për krimet e luftës në Hagë, negociatat thelbësore Prishtinë-Beograd mund të ndërpriten seriozisht. Dialogu i rifilluar kohët e fundit në Bruksel, midis Kosovës dhe Serbisë, përfaqëson një mundësi historike për të dy vendet, për të normalizuar marrëdhëniet e tyre. Rëndësia e dialogut nuk mund të ekzagjerohet. Në të vërtetë, e ardhmja e të dy vendeve brenda Evropës varet nga ekuilibri midis shumë shteteve në BE. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, kanë investuar shumë për këtë proces. Por liderët do të duhet të përafrohen siç duhet, për të arritur një marrëveshje, duke pasur parasysh armiqësinë e thellë midis dy vendeve dhe fjalimeve të tyre të ashpra historike. Procesi i negocimit do të jetë i brishtë dhe do të jetë i prekshëm ndaj ngjarjeve të jashtme, që nuk kanë të bëjnë fare me çështjet e rëndësishme në tryezë, siç është njohja e Kosovës nga Serbia.
Kjo ka ndodhur më parë: kujtoj vrasjen tronditëse të politikanit serb Oliver Ivanoviç, në Janar në Mitrovicë, ende i pazgjidhur, që i mbylli bisedimet dypalëshe, ashtu siç ishin gati për të rifilluar. Fatkeqësisht, kjo mundësi ekziston përsëri. Dialogu mund të përshpejtohet në një moment kritik, sepse anëtarët e tanishëm të delegacionit të Kosovës mund të jenë në një kurs përplasjeje, me Zyrat e Posaçme të Kosovës dhe Prokurorinë Speciale. Mandati ekskluziv i gjykatës është të ndjekë penalisht anëtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e supozuara të kryera gjatë luftës ndaj forcave serbe, në vitet 1998-99 dhe menjëherë pas kësaj. Delegacioni aktual, i cili u takua me Federica Mogherinin në Bruksel më 18 korrik, udhëhiqej nga Presidenti Hashim Thaçi dhe përfshinte Kryeministrin Ramush Haradinaj, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Vesili dhe Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
Të gjithë ishin anëtarë të rangut të lartë të UÇK-së dhe të gjithë janë identifikuar si kriminelë të dyshuar në disa hetime dhe raporte. Si të tillë, ata mund të jenë në shënjestrën e Prokurorit Special, edhe pse kanë mohuar çdo akuzë penale. Le të shikojmë pak të kaluarën. Pas akuzave shpërthyese në vitin 2008 nga Carla Del Ponte, ish-kryeprokurorja e Tribunalit Penal Ndërkombëtar, për ish Jugosllavinë, e cila theksonte se anëtarët e lartë të UÇK-së kishin kryer krime të tmerrshme, duke përfshirë trafikimin e organeve, Komisioni Evropian ngarkoi senatorin zviceran Dick Marty për të kryer një hetim të plotë. Raporti i Martyt, i titulluar “Trajtimi jonjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, i publikuar në dhjetor 2010, në masë të madhe konfirmoi akuzat e Del Pontes, por ai shkoi një hap më tej dhe në të vërtetë identifikoi disa nga të dyshuarit, ndër të tjera, Haradinaj, Veselin dhe Limaj.
Raporti u miratua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 7 janar 2011 dhe ka qenë udhëzuesi për gjithçka që ka ndodhur që atëherë. Hetimi trevjeçar pasues nga Task Forca Speciale Hetimore e BE-së, arriti në përfundime të ngjashme. Raporti, i titulluar “Deklarata e Kryeprokurorit të Task Forcës Speciale të Hetimeve”, botuar në korrik 2014, arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë kundër disa anëtarëve të shquar të udhëheqjes së UÇK-së, në përputhje me gjetjet e Martyt. Megjithatë, në atë kohë nuk është ngritur aktakuzë, sepse bashkësia ndërkombëtare kishte humbur besimin në misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, “EULEX” dhe vendosi, që një gjykatë krejtësisht e re duhej të krijohej jashtë Kosovës në mënyrë që të minimizoheshin faktorët e rrezikut, të tilla si ndërhyrja politike dhe kërcënimi i dëshmitarëve.
Gjykata e re në Hagë tani është plotësisht në funksionim që nga korriku i vitit 2017. Faqja e internetit konfirmon rëndësinë e raportit të Martit: “Zyrat Speciale dhe Zyra e Prokurorit Special, kanë juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krime të tjera, sipas ligjit të Kosovës, në lidhje me akuzat e raportuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të datës 7 janar 2011”. Ndërkohë, në Kosovë ka një debat në lidhje me kornizën e duhur për dialogun me Serbinë në Bruksel, roli i Asamblesë, objektivat që duhen arritur, roli i partive të opozitës, mundësia e ndarjes, shkëmbimi i territorit ose rregullimi i kufijve, dhe kështu me radhë. Por çuditërisht, mundësia e aktakuzave nuk debatohet publikisht. Në mënyrë të pashpjegueshme, ndërsa gjykata e re ka qenë në punë për më shumë se një vit, aktakuza ende nuk është ngritur nga Prokuroria Speciale.
Gjykata është angazhuar në punë të rëndësishme përgatitore, por ende nuk ka filluar funksionin e saj thelbësor, gjykimin e çështjeve penale. Kjo mund të ndryshojë së shpejti, pasi një prokuror i ri kohët e fundit është punësuar dhe ka shpresë se më në fund do të paraqesë aktakuza dhe do ta çojë përpara procesin. Kur ta bëjë këtë, gjykata e re duhet të jetë e gatshme të shqyrtojë aktakuzat me shpejtësi, me një staf prej 150 punonjës, dhe një buxhet prej 41 milionë euro, e miratuar për vitin fiskal që sapo përfundoi.
Pyetjet e rëndësishme mbeten dhe vetëm koha do të na japë përgjigje. A do të ngrihen aktakuzat në një fazë kritike të dialogut? A do të ngrejë akuzat Prokurori Special për Thaçin, Haradinaj, Veselin dhe Limajn, të cilët në atë kohë mund të përfshihen në negociatat në nivelin më të lartë? Nëse po, a mund të shkatërrohen bisedimet? A mund të rrëzohet qeveria aktuale e Kosovës, dhe të kërkojë zgjedhje të reja? Këto janë kohë të vështira dhe çështje të vështira dhe aksionet janë të larta për Kosovën dhe Serbinë. Çdo veprim që mund të rrezikojë suksesin e bisedimeve duhet të minimizohet ose eliminohet. Prandaj, mundësia e aktakuzave kundër anëtarëve të delegacionit të tanishëm të Kosovës dhe implikimet serioze për dialogun, duhet të debatohet fuqishëm, jo vetëm brenda sferës politike të brendshme, por brenda sferës së liderëve të Kosovës, BE-së dhe SHBA-së, para se të jetë shumë vonë.
(Gjykatësi Dean B. Pineles është i diplomuar në Universitetin Brown, Fakultetin e Juridikut të Universitetit të Bostonit dhe në Shkollën e Politikave Qeverisë Kennedy, në Universitetin e Harvardit. Ai shërbeu si gjykatës ndërkombëtar me EULEX-in nga 2011-13. Përveç Kosovës, ai ka përvojë të gjerë të sundimit të ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji. Tani jeton dhe jep mësim në Washington DC)