Gjenevë, 19 nëntor – Ndryshimi i qëndrimit të administratës së presidentit amerikan, Donald Tramp pas katër dekadash që lagjet izraelite nuk paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare ka shkaktuar reagime dhe akuza nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e vlerësoi si “arritje të madhe” me të cilën do të korrigjohet gabimi historik, transmeton gazeta KOHA.
“Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut e përsëriti qëndrimin se lagjet izraelite në territorin e okupuar palestinez paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, deklaroi sot zëdhënësi i Zyrës, Ruper Kolvil.
Sekretari amerikan i shtetit, Majk Pompeo, deklaroi dje se SHBA-ja e ka hedhur poshtë mendimin juridik të Departamentit të Shtetit të vitit 1978, në të cilin theksohet se ndërtimi i lagjeve në territoret e okupuara nuk është në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare.
“E vërteta e vështirë është se kurrë nuk do të ketë një zgjidhje ligjore për konfliktin dhe argumentet se kush ka të drejtë, dhe kush është i gabuar, si çështje e së drejtës ndërkombëtare, nuk do të sjellë paqe”, thotë Pompeo.
Ai gjithashtu theksoi se administrata e Trampit beson se të gjitha çështjet juridike të lidhura me lagjet duhet të zgjidhen nga gjykatat izraelite.
Qëndrimin e SHBA-së për lagjet izraelite e dënon Nabil Abu Rdenehin zëdhënësi i presidentit palestinez Mahmud Abas, ndërsa vendimi është përshëndetur nga kabineti i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.
Bashkimi Evropian kumtoi se popullimi izraelit në territoret e okupuara palestineze është i paligjshëm sipas të drejtës ndërkombëtare dhe se me këtë janë minuar mundësitë për paqe të qëndrueshme.
“BE-ja apelon deri te Izraeli që t’i ndalojë të gjitha aktivitetet me popullimin, në përputhje me detyrimet e saj si forcë okupuese”, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i ligës Arabe, Ahmed Abul Gejt sot e dënoi vendimin e fundit të administratës së Trampit. Ai paralajmëroi se ky vendim do të sjellë “më shumë dhunë dhe mizori ndaj palestinezëve” dhe se e minon mundësinë për arritjen e paqes.
Ndërkohë edhe Ministria ruse për Punë të Jashtme kumtoi se vendimi me të cilin SHBA-ja e mbështet të drejtën e Izraelit për të ndërtuar lagje hebraike në Bregun Perëndimor të okupuar e minon bazën ligjore për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Moska gjithashtu e ka dënuar ndryshimin e politikës zyrtare në SHBA, duke paralajmëruar se një hap i tillë do t’i rriste tensionet në rajon.
Ndërkohë, Netanjahu udhëtoi në Bregun Perëndimor, me ç’rast theksoi se deklaratën e administratës së Trampit e përshkroi si një arritje të madhe, me të cilën do ta korrigjonte gabimin historik.
“Mendoj se është një ditë e mrekullueshme për shtetin e Izraelit dhe një arritje që do të zgjasë me dekada”, theksoi Netanjahu para mbështetësve të mbledhur në Efrat, një lagje e madhe jashtë Jerusalemit.
Më shumë se 400.000 hebrenj të ardhur tani jetojnë në Bregun Perëndimor, një territor i pushtuar së bashku me Jerusalemin Lindor në luftën e vitit 1967.
Bashkësia ndërkombëtare dhe palestinezët pohojnë se lagjet hebraike janë të paligjshme dhe e pengojnë formimin e një shteti palestinez. Izraeli pohon se fati i lagjeve me shumë gjasa do të zgjidhet në tryezë bisedimesh.
Administrata e Trampit ka marrë më shumë vendime në favor të Izraelit – njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit dhe mbyllja e misionit diplomatik palestinez në Uashington.
Mendimi juridik për lagjet nga viti 1978 është i njohur si Memorandumi i Hanselit dhe bazohet pjesërisht në Konventën e Gjenevës për ndalimin e popullimit të civilëve në territorin e okupuar.(koha.mk)