Shkup, 2 shtator – Me siguri nuk është i vogël numri i shkupjanëve, të cilët shumë shpesh kanë kaluar përmes bulevardit “Sllovenia”, por nuk u ka rënë ndërmend që të shikojnë drejt akuaduktit e lëre më ta vizitojnë. Ndërsa ai nuk është as dy kilometra larg qytetit, ose nëse dëshironi, 20 minuta më këmbë. Por, për dallim prej banorëve të Shkupit, tridhjetëvjeçarit Vladisllav Nizovoj nga Krimeja, nuk i pengoi moti i nxehtë, të ec disa kilometra për ta parë ujësjellësin i cili dikur i ka furnizuar shkupjanët me ujë të pijshëm.
KUSH E NDËRTOI UJËSJELLËSIN !
Vladisllavin e kemi takuar në rrugën e paasfaltuar, e cila çon drejt akuaduktit dhe disa metra e kaluam së bashku. Njeri i këndshëm, me të cilin aspak nuk ishte e rëndë të hyjmë në komunikim.
– Akuaduktin e pashë në “Gugël maps” dhe vendosa ta vizitoj, thotë Vladisllavi.
– Më pëlqen i gjithë ambienti. Më ngjan në histori, në diçka të vjetër. Nuk më pengon ashtu siç është, përveç mbeturinave. Unë jam ekologjist. Kudo që shoh mbeturina, i grumbulloj në qese, qesh Vladisllavi.
– A është nga periudha romake?, na pyeti ai.
I sqaruam se ka mendime të ndryshme se prej cilës kohë vjen akuadukti. Disa thonë se atë e ka ndërtuar imperatori romak Justiniani i Parë, i lindur në Taor të Shkupit, për ta furnizuar me ujë qytetin e tij Justiniana Prima. Ia thamë supozimin e arkeologut Kiro Ristov, i cili mendon se qytetin, të cilin e ka ndërtuar Justiniani ndodhet nën Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Të tjerët nga ana tjetër, vlerësojnë se sunduesi i famshëm romak e ka ndërtuar ujësjellësin për ta furnizuar Skupin e atëhershëm.
Por, prof. dr. Konstantin Petrov pohon se ka dëshmuar se akuadukti është ndërtuar në periudhën midis vitit 1392 dhe 1566, me siguri në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.
I treguam me dorë drejt Karadakut prej ku është marrë uji për akuaduktin. Traseja e akuaduktit ka çuar prej burimit Dulo në atarin e fshatit Banjani, ka kaluar përmes Orizares së Epërme, Shuto Orizares, Çairit deri në Qendër. Uji është përdorur për nevojat e Kalasë së Shkupit dhe qytetit të poshtëm i cili është shtrirë në hapësirën e Bit Pazarit. Kështu thonë ekspertët. Ia përcollëm Vlladisllavit atë që e dimë për ujësjellësin. Teksa i flisnim për akuaduktin, ai vëzhgonte me kujdes dhe habi sikur donte të absorbonte çdo detaj prej tij.
– Është i mrekullueshëm, na tha.
Kërkoi ta fotografojmë. Na shpjegoi se dëshiron të kapim një kënd ku ndahet ujësjellësi.
– Është i gjatë 386 metra. Nuk mund ta kapim të tërin, i thamë Vladisllavit.
Është ndërtuar prej gurit dhe tullave me 55 birila të cilat mbështeten në shtylla masovike, e sfidon kohën.
UJËSJELLËSI NË MES TË NATYRËS SË EGËR
Kishim fat që ditën kur ishim tek ujësjellësi mbante mot me diell. Mund ta imagjinojmë se si është kur bie shi. Që të mbërrijmë tek akuadukti kur bie shi, nevojiten çizme prej gome. Ujësjellësi ndodhet në mes të natyrës së egër. Një kohë u përfol se hapësira rreth akuaduktit do të urbanizohet, do të hapen objekte hotelierike dhe për dyqane për suvenire për vizitorë dhe turistë. Tani për tani mbetet si ide.
Vladisllav na tha se i pëlqen kështu siç është dhe se e kthen në të kaluarën. Por, gjithsesi, me urbanizimin e këtij objekti të rëndësishëm do të jetë shumë më i vizituar se tani. Përveç akuaduktit, ukrainasi pati për qëllim që atë ditë ta shohë prej afër edhe Kryqin e Mijëvjeçarit.
Vladisllavi kishte vendosur që sivjet pushimin veror ta kalojë në Maqedoni dhe thotë se nuk ka gabuar. Ka qenë edhe në Ohër. I ka pëlqyer shumë qendra e qytetit.
Kur u larguam nga akuadukti, ai e mori një qese dhe i mblidhte mbeturinat. Na tha se kështu ka bërë kudo ku ka shkuar. Me të ndërruam kontaktet dhe na premtoi se përsëri do ta vizitojë Maqedoninë. (mia)