Shkup, 8 mars – Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhet të publikohet aktgjykimi për rastin Titanik 2″ e cila ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në zgjedhjet lokale më 2013.
Në “Titanik 2” të PSP-së të akuzuar janë lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, ish drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov si dhe ish anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Srcev.
Rastin e udhëheq gjykatësi Ognen Stavrev.
Mbrojtja në fjalët përfundimtare ka kërkuar aktvendim lirues për gjithë të akuzuarit, duke theksuar se Prokuroria nuk ka dhënë prova me të cilën vërtetohet vepra për të cilën ngarkohen. Avokatët mbrojtës kanë pasur vërejtje edhe në besueshmërinë e audio incizimeve që siç thanë, “janë përfituar jo ligjërisht”. Kanë thënë se akuza është ngritur nga paditësi i paautorizuar, pra është pas skadimit trë periudhës prej 18 muajsh, e caktuar sipas akuzës së PSP-së.
Sipas PSP-së, Mijallkov si drejtor i DSK-së dhe anëtar i Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së e ka shfrytëzuar ndikimin e tij real dhe përmes Menduh Thaçit ka dakorduar të miratohen ankesat për rivotimin në tre vendvotime në Strumicë në zgjedhjet lokale 2013.
Anulimi i votimit, sipas Fetait është përllogaritje ekzakte e VMRO-DPMNE-së se sa nevojitet që kandidati i tyre të mund të shkojë në rrethin e dytë, derisa Thaçi edhe pse nuk ka pasur të drejtë ligjore e ka bindur Bedredin Ibraimin të pranojë mendimin e tij dhe të votojë për ankesat e VMRO-së, ndërsa për kthim siç ka sqaruar Fetai, anëtarët e KSHZ-së nga VMRO-DPMNE duhej të votonin për ankesat e PDSH-së në Çair.
Të akuzuarit e tjerë, anëtarë të KSHZ-së, sipas PSP-së e kanë keqpërdorë detyrën zyrtare dhe nuk kanë qenë në funksion të Kodit zgjedhor, por të interesave partiake. (koha.mk)