Delvina KËRLUKU
Teuta Ajdini – Jegeni lindi në Shkup, në vitin 1963. ka luajtur mbi 70 role, është fituese e 4 çmimeve, për rolet e saj. Roli i saj i parë ishte në vitin 1984 në shfaqjen “Ibe Palikuqi”. Për disa vite ishte edhe pjesë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, kurse aktualisht është një nga shtyllat e Teatrit Shqiptar në Shkup. Është e bija e aktorit të shquar dibran, Qemal Ajdini.
KOHA: Mbani emrin e vajzërisë, pas martese, pse?
AJDINI-JEGENI: Mbiemri i vajzërisë më bën krenare. Është trashëgim i një artisti që ka emrin Qemal Ajdini.
KOHA: Pse e zgjodhët aktrimin?
AJDINI-JEGENI: Përsëri, sepse trashëgova gjenet dhe kështu natyrshëm aktrimi më përzgjodhi mua.
KOHA: A i pranoni te gjitha rolet qe ju ofrohen?
AJDINI-JEGENI: Në shtëpinë time amë ku punoj, edhe po. Por, jashtë saj shpeshherë edhe refuzoj, qofshin ato edhe me honorarë të majme. Nëse nuk e gjej veten te ato role, sigurisht që i refuzoj.
KOHA: Aktorët e gjeneratës së vjetër dhe të resë kanë dallim, si i vlerësoni?
AJDINI-JEGENI: Pak ka dallime mes gjeneratave të vjetra dhe të reja, ashtu siç gjithnjë ka ekzistuar dallimi mes gjeneratave. Unë kam fatin e mirë të njoh edhe gjeneratën e vjetër edhe këtë të renë, sepse jam diku në mes. Ky dallim ose konflikt gjeneratash ekziston në çdo profesion. Në profesionin tonë tejkalohet më lehtë, sepse vetë natyra e punës të bën të mëshirohesh me njëri – tjetrin.
KOHA: A mendoni që ka xhelozi tek aktorët?
AJDINI-JEGENI: Xhelozia është një kategori, për të cilën mendoj se u takon të paaftëve. Thënë sinqerisht, ajo ekziston edhe në profesionin tonë, por edhe në profesione të tjera. Thjesht, e përzgjedhin ata që kanë më pak vlera. Unë nuk xhelozoj, sepse unë jam unë, e tjetri dikush tjetër.
KOHA: Cila është gjendja e teatrit sot në Maqedoni?
AJDINI-JEGENI: Gjendja në teatër nuk është edhe aq keq, duke marrë parasysh gjendjen e përgjithshme të shoqërisë sonë. Ne bëjmë të pamundurën për të mbijetuar, për të nxjerr vlera. Të tillë jemi. Kemi qenë edhe në gjendje më të vështirë, por punuam e dhamë mundin tonë. Jemi pa kushte, sepse bëhet riparimi. Kemi mbetur si endacakët, pa teatër të mirëfilltë.
KOHA: Çfarë do të thotë të jesh aktor i famshëm në një vend të vogël si Maqedonia?
AJDINI-JEGENI: Nuk e di në mund të jesh i famshëm në Maqedoninë e vogël, por e njohur gjithsesi. Famë nuk bëhet në një vend kaq të varfër.
KOHA: Raportet me aktorët maqedonas?
AJDINI-JEGENI: Aktorët maqedonas kanë vendosur një mur në mes nesh dhe shpesh herë kapërcejnë dhe kalojnë nga ana jonë, gjithashtu edhe ne, por shumë rrallë. Neve aktorëve shqiptar muri nuk na pengon dhe nuk e kemi vendosur vetë. Nuk na pengon, sepse ne kemi hapësirat tona shqiptare, ku promovojmë vlerat tona. Kurse ata, nëse duan le ta rrëzojnë.
KOHA: Është Maqedonia një vend i mirë për aktorë të mirë?
AJDINI-JEGENI: Maqedonia ka filluar të bëhet një vend i keq, ku ka aktor të mirë.
KOHA: Ka ndryshuar sjellja e publikut kur u shohin në skenë?
AJDINI-JEGENI: Mendoj që është pyetje për publikun. Nga hapat e mia të para njëlloj e kam vlerësuar publikun dhe të vazhdoj në mënyrë të njëjtë ta respektoj.
KOHA: Si ndjeheni në skenë kur mungon publiku?
AJDINI-JEGENI: Është ndjesi e keqe kur ka pak publik, por kjo nuk ndikon gjatë interpretimit. Sepse për ne, edhe sikur të ketë një spektator, ne japim maksimumin.
KOHA: Do të preferonit më shumë çmime a më shumë publik?
AJDINI-JEGENI: Unë luaj për publikun. Nëse vlerësohet puna ime çmimet janë të mirëseardhura, por jo të domosdoshme.
KOHA: Publiku ju sheh në sy. Ju a e shini atë?
AJDINI-JEGENI: Publiku më sheh në sy, unë i flas me sy. I ndjej dhe i dëgjoj me shpirt.
KOHA: A jetohet sot me rrogë aktori?
AJDINI-JEGENI: Jo, sot nuk jetohet me rrogën e asnjë profesioni, por mbijetohet.
KOHA: Si është të jesh gruaja e një gjinekologu të njohur ndër shqiptarë?
AJDINI-JEGENI: Më nxjerr pak probleme kjo. Por, jo fama e tij. Angazhimi i tepër profesional më ka munduar, por gjithsesi me kohë e tejkalova këtë. Suksesi këtë mundim ka.
KOHA: Dhurata e parë nga bashkëshorti?
AJDINI-JEGENI: Dhurata e parë më kujtohet shumë mirë dhe është shumë domethënëse. Është një maskë teatri, që ma dhuroi në takimin e parë. Vërtet një gjest i sinqertë, që nënkuptonte mbështetje. Dhe vërtet gjatë gjithë jetës dhe karrierës sime kam pasur përkrahjen e tij ndaj profesionit tim. Ma ka bërë qejfin. Kurrë se harroj!
KOHA: Ke shkruar letra apo gjithmonë gojarisht je shprehur?
AJDINI-JEGENI: Më pëlqen më shumë të flas. Ne aktorët e kemi më të theksuar të shprehurit me gojë. Deformim profesional. Kam shkruar dikur. I takoj gjeneratës së një kohe pa kompjuter. Por, tentoj të dërgoj letra në postë elektronike.
KOHA: Po letra dashurie?
AJDINI-JEGENI: Di të bëj, por nuk jam aq romantike.
KOHA: Veproni në Shkup. Jeni shkupjane apo mbeteni dibrane?
AJDINI-JEGENI: Kam lindur në Shkup, jetoj në Shkup, por mbetem përherë dibrane, sepse prindërit i kam dibran, po ashtu edhe bashkëshortin. Kam sjell në Shkup kulturën dhe traditën dibrane, civilizimin dibran dhe kjo nuk mund të them se s’më bën krenare.
KOHA: Dallimi mes jetës në Prishtinë dhe Shkupit?
AJDINI-JEGENI: Mund të them se jetoj edhe atje, edhe këtu. Që moti, disi, me Prishtinën jam shkëputur, edhe pse kam jetuar një kohë para luftës. Por, tani jetoj në Shkup me familjen.
KOHA: Shkëlqyet në veprën e Shekspirit?
AJDINI-JEGENI: Unë e dhashë mundin tim. E ndjeva dhe i dhashë jetë veprës së Shekspirit, kjo është edhe pjekuria e një aktori.
KOHA: Më mirë hero a viktimë në skenë?
AJDINI-JEGENI: Aktori edhe kur e luan heroin, por edhe viktimën në skenë, po e bëri mirë ngelet hero i skenës.
KOHA: sipas Jush, kush duhet të jetë drejtor i teatrit?
AJDINI-JEGENI: Drejtor i teatrit duhet të jetë së pari me vlera profesionale dhe një njeri i cili e do teatrin dhe jo veten në teatër, po teatrin në vete.
KOHA: Arti e imiton jetën apo jeta e imiton artin?
AJDINI-JEGENI: Të dyja varen nga njëri tjetri. Por, gjithsesi arti i jep kuptim jetës.
KOHA: Vdes për skenën?
AJDINI-JEGENI: Thjesht, po. Po, vdes.
KOHA: Më shumë i jeni përkushtuar skenës a familjes?
AJDINI-JEGENI: Kam krijuar familjen. I përkushtohem edhe familjes edhe teatrit. I dua pa mas, të dyja. Vlerë kanë të dyja. Unë një kohë i jam përkushtuar familjes. Por, tani familja më përkushtohet mua. Dhe më ndihmon për ta përballuar skenë.
KOHA: Aktorët janë guximtarët që ia thonë në fytyrë politikanit?
AJDINI-JEGENI: Ata nuk ja thonë, por ia përplasin në fytyrë.
KOHA: Di të ngasësh vetë makinë?
AJDINI-JEGENI: Makinë e ngas që moti dhe nuk dua që dikush tjetër të jetë në timon, kurse unë në karrige. Gjithmonë i bëj vetë punët. Pak pres të bëjnë të tjerët për mua.
KOHA: Do t’ua trashëgoje fëmijëve aktrimin?
AJDINI-JEGENI: Do të kisha dëshirë. Do t’i përkrahja. Por, ata nuk zgjodhën këtë profesion. Njëri ndoqi rrugën e babait, student i mjekësisë, tjetri student i Fakultetit për IT.
KOHA: Në çfarë peripecish hase gjatë dhe pas xhirimit të filmit “Njeriut prej dheu?
AJDINI-JEGENI: Nuk e di a hasa në peripeci, po ishte filmi i parë, dashuria ime e parë dhe më bën të ndjehem mirë. Kur ju e kujtoni akoma këtë film, që do të thotë ka lënë një gjurmë. Ishin momentet më të bukura të jetës sime gjatë përgatitjes së këtij filmi. Do ta kujtoj gjatë, sepse kam luajtur me aktor të mëdhenj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.