Për vite me radhë Teatri shqiptar i Kumanovës përballet me kushte mizore dhe mungesë të hapësirave, këtë e konfirmuan edhe aktorët e Kumanovës. Edhe përkundrejt premtimeve të bëra nga ana e qeverisë, ende nuk kanë paraparë ndonjë plan konkret lidhur me përmasimin e kushteve dhe hapësirave të cilat kushtëzojnë numrin e shfaqjeve
Remzije BILALLI
Shkup, 18 tetor – Teatri në Komunën e Kumanovës po përballet me probleme të ndryshme, duke filluar që nga mungesa e hapësirave, mungesë të zhveshtoreve, rënia e kulmit dhe shumë probleme të tjera të cilat ndikojnë dhe përkufizojnë numrin e shfaqjeve. Ky problem disa vjeçar ka ndikuar në zhvillimin e kulturës së teatrit në Kumanovë, shkruan gazeta KHA.
Aktorët shqiptarë të cilët për disa vite me radhë kanë kërkuar nga organet kompetente që të marrin masa për rikonstruimin e objektit, mirëpo që kjo kërkesë deri më tash ka arritur në vesh të shurdhët, duke përfshirë edhe qeverinë e aktuale e cila kishte premtuar zgjedhjen e problemit të teatrit të Kumanovës.
Aktorët për gazetën KOHA, u shprehën se kushtet në teatrin e Kumanovës janë mizore dhe se këshilli i aktorëve do të vazhdojnë të kërkojnë edhe më tutje përmirësimin e kësaj gjendje nga organet kompetente si dhe për hapësirë që të mund të funksionojnë më shumë grupe njëkohësisht.
“ Kushtet mizore shihen që në shikim të parë duke filluar nga mungesa e hapësirës, veshtoreve dhe kushteve tjera elementare të cilat vështirësojnë punën dhe përgatitjet për një shfaqe. Mirëpo përkundrejt premtimeve se do të punohet, ende nuk kanë filluar ndonjë punë konkrete dhe nuk jemi në dijeni se çfarë plane do të kenë në të ardhmen”, deklaroi aktori nga Kumanova, Qazmedin Nuredini.
Mes të tjerash ai shtoi se mungesa e hapësirës i kushtëzon ata në numrin e shfaqjeve, sepse duhet të koordinohen edhe me ekipet maqedonase për shkak hapësirës së pa mjaftueshme ku duhet ti zhvillojnë provat.
Drejtori i Pallatit të Kulturës, Sasho Todorovski për gazetën KOHA deklaroi se janë në bisedime me Ministrinë e Kulturës, por deri më tani asgjë nuk është konkrete.
“Duhet shumë punë, besoj që do të fillojmë më rikonstruimin e kulmit fillimisht dhe më tutje do të shohim, nuk mund të deklaroi diçka sepse ende nuk është asgjë konkrete, prandaj do të presim.
Lidhur me objektin e teatrit në Kumanovë, nga Ministria e Kulturës, në programet për ndërtimin e objekteve të reja dhe për rikonstruimin, rehabilitimin dhe adaptimin e objekteve ekzistuese që i përdorin institucionet nacionale në sferën e kulturës në vitin 2016 dhe 2017, kishin parashikuar projekte për riparimin e të kulmit të objektit të Qendrës së Kulturës dhe objektit të teatrit. Nga Ministria shtuan se Qendra e Kulturës “Trajko Prokopiev” – Kumanovë ka realizuar aktivitetin vetëm për rikonstruimin e kulmit të Qendrës së Kulturës në vitin 2016 dhe 2017, në vlerë prej 2.981.860 denarëvë.
“Sektori për çështje investuese ka kryer shumë vizita pune në Kumanovë, ka parashikuar dhe përcaktuar punë të nevojshme për rikonstruimin e objektit të teatrit dhe ka përpiluar detyrë projektuese për hartimin e dokumentacionit projektues për rikonstruimin e objektit, për shkak se i njëjti është në gjendje të keqe dhe për të cilin nevojitet rikonstruim komplet. Ndërsa për vitin 2019 është paraparë ndërrimi i nënstrukturës së kulmit dhe mbulesa e ndërtesës së teatrit Kumanovë”, deklaruan nga Ministria. (koha.mk)