Evis HALILI
Shkup, 24 janar – Drejtoria e afirmimit dhe avancimit të kulturave të bashkësive pranë Ministrisë së Kulturës këtë vit do të jetë protagoniste e projekteve për nxitjen dhe zhvillimin e kulturave të bashkësive, shkruan gazeta KOHA. Ditët e kulturës së bashkësive, shënimi i festave shtetërore, njohja e trashëgimisë, për integrimin e qendrave të kulturës, shoqërive, e të tjera. Janë gjithsej nëntë projekte që përfshihen në Planin e ri strategjik të hartuar nga Ministria e Kulturës për këtë vit, si edhe katër vitet e ardhshme. Në këtë dokument mes të tjerash parashikohet një program me aktivitete për nxitjen e krijimtarisë dhe krijimin e ambientit të favorshëm për kulturat e bashkësive, ku si bartës i programit është caktuar Drejtoria për afirmimin dhe avancimin e kulturave të bashkësive. Organ ky i ministrisë që prej disa vitesh nuk ka luajtur ndonjë rol të posaçëm për kulturën e bashkësive, përveç rastit të disa viteve më parë kur u transferua në një objekt jashtë ministrisë, së bashku me pjesën më të madhe të punonjësve shqiptarë. Për momentin nga 44 numri i shqiptarëve që punojnë atje është rreth 20 vetë. Pjesa më e madhe e tyre kanë kërkuar largimin dhe janë sistemuar në qendra dhe institucion e të tjera në varësi të Ministrisë së Kulturës.
Në planin strategjik aktivitetet që paralajmërohen se do të ndryshojnë kursin e kulturës për vitet në vazhdim paraqiten në formë të përgjithësuar, me disa përjashtime si ato që lidhen me programin për kulturat e bashkësive. Për shembull, për projektin “Ndërtimi i urave të besimit përmes njohjes së trashëgimisë kulturore-historike” janë planifikuar 28 mijë euro për realizimin e tij gjatë këtij viti. Një prej projekteve më të shtrenjta është “Mbështetje për shënimin e festave shtetërore të bashkësive”, gjithsej 150 mijë euro, “Ditët e kulturës së bashkësive” – 80 mijë euro, ndërsa një tjetër projekt si “Ditët e kulturës së Stambollit në Shkup” do të mbështetet financiarisht nga autoritetet turke të kulturës. Po ashtu në këtë program këtë vit parashikohet hartimi i një plani aksionar për avancimin e kulturës së romëve.
Në publikimin e Ministrisë së Kulturës për planin për zhvillimin e kulturës gjatë këtij viti dhe thuhet se Kultura do të lexohet në një formë të re, sipas të drejtave të barabarta për të gjithë, krijimin e hapësirave për kurimin e diversitetit dhe identiteteve plurale kulturore dhe largimin nga konceptet retrograde etnonacionalistike të veprimit në ambientin kulturor.
“Plani strategjik përfshin programe dhe nënprograme për pjesën më të madhe të proceseve reformuese në sferën e kulturës… Si qëllime të veçanta në zhvillimin e kulturës në periudhën në vijim në planin strategjik janë nxitja e krijimtarisë artistike, promovimi i zhvillimit individual, avancimi i mirëkuptimit reciprok dhe përfshirja e barabartë e grupeve të veçanta në produksionin kulturor dhe në jetën sociokulturore”, thuhet në publikimin e Ministrisë së Kulturës. Ndërkohë që Strategjia për zhvillimin e kulturës për pesë vitet e ardhshme ende nuk është gati. Pjesa shqiptare e grupit të punës që u përfshi në hartimin e këtij dokumenti kishte rezerva sa i takon prioriteteve dhe zhvillimit të kulturës dhe mungesës së thekseve lidhur me tejkalimin e problemeve në institucionet shqiptare dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e kulturës shqiptare në veçanti. (koha.mk)