Aktivizohen masat për parandalim nga përmbytjet

Shkup, 6 mars  – Institucionet kompetente në pjesën e parandalimit dhe ballafaqimit me përmbytjet nga sot duhet të zbatojnë aktivitetet në pajtueshmëri të konkluzioneve nga seanca e djeshme e Komitetit drejtues për koordinim dhe menaxhim në sistemin për menaxhim me kriza.

Sipas informatave të Komitetit drejtues situata është më kritike në rajonin veriperëndimor të Republikës së Maqedonisë, por edhe në luginën e Pellagonisë, si dhe në Qytetin e Shkupit, ku ka derdhje në Zelenikovë dhe tek ndërtesa e Fondit të SPIM-së.

Jashtëzakonisht janë rritur nivelet e ujit të lumenjve Vardar, Cërna Treska, Sateska, Radika, si dhe lumit Pçinja. Dalje nga shtrati janë regjistruar në rrjedhat e epërme të Vardarit, Cërna dhe lumit Treska dhe pellgjet e tyre më të vogla.

Në komunën e Jegunocit është vërshuar një sipërfaqe e madhe e tokës bujqësore. Por nëse edhe më tej rritet niveli i lumit Vardar, institucionet konstatuan se edhe një pjesë e shtëpive mund të përmbyten. Gjithashtu, në fshatin Forinë të Gostivarit, dje janë përmbytur një pjesë e shtëpive dhe hapësirat e bodrumeve. Është regjistruar edhe rrëshqitje e dheut tek fshati Novosellë i Tetovës. Një pjesë e hapësirave të bodrumeve në pjesët më të ulëta të qytetit të Strugës janë përmbytur gjatë ditës, për shkak të nivelit të lartë të ujërave të zeza. Gjithashtu,i është përmbytur edhe tokë e punuar bujqësore për shkak të derdhjes së lumit Drini i Zi.

Në Kërçovë është intervenuar në një pjesë të qytetit, nëpër rrjedhën e lumit Zajashka. Është vendosur mbrojtje me thasë me rërë dhe mekanizëm. Ka edhe derdhje më të vogla të lumit Vardar në rrethinën e Shkupit. Duke pasur parasysh situatën, këto gjendje mund të ndryshohen në afat prej disa orëve.

Duke i pasur parasysh paralajmërimet e Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike për reshje të reja të shiut në 24 orët e ardhshme, Komiteti drejtues për ballafaqim me kriza në seancën e djeshme solli disa konkluzione:

Në pajtueshmëri të konkluzioneve të Komitetit drejtues Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Qendra për Menaxhim me Kriza, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, SHA Ujësjellësi i Republikës së Maqedonisë dhe Bashkësia e njësive të vetëqeverisjes lokale, duhet të mbajnë takime koordinuese me të gjithë institucionet kompetente nën kompetencë të tyre, me qëllim të përpilimit të planit të hollësishëm aksional me aktivitete pune sipas institucioneve, në pajtueshmëri të resurseve të disponueshme nga institucionet, në drejtim të veprimit parandalues për pengim të përmbytjeve.

Rekomandohet që në këto takime koordinuese të vendoset theks në gjendjet me kanalet e lumenjve në territorin e Republikës së Maqedonisë, posaçërisht në rajonet e komunave të goditura dhe në qoftë se është e nevojshme, të ndërmerren aktivitetet për pastrim urgjent të kanaleve.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, në bashkëpunim me komunat nga rajoni i Pollogut, Pellagonisë dhe Shkupit dhe shtabi rajonal për menaxhim me kriza, duhet menjëherë të ndërmarrin aktivitete për sanim dhe pastrim të terrenit ku nevojitet.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, gjithashtu, menjëherë duhet t’i vendosë në funksion të gjithë pompat e ujit me të cilat disponon, me qëllim të shfrytëzimit të tyre dhe ballafaqim me situatën e krijuar në territorin e komunave nga rajoni i Pollogut, Pellagonisë dhe Shkupit.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, deri nesër, deri te Komiteti drejtues duhet të dorëzojë kontroll për atë se me sa numër të pompave të ujit disponon, ku për momentin ndodhen të njëjtat, në çfarë gjendje janë dhe sa persona mund të menaxhojnë me to.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në pajtueshmëri të marrëveshjeve të firmosura për angazhim të mekanizmit ndërtimor nga firma private, në qoftë se vlerëson se është e nevojshme, ta angazhojë këtë mekanizëm, në pajtueshmëri të nevojave dhe prioriteteve të komunave të goditura.

Në qoftë se institucionet konfirmojnë se ka nevojë për angazhim të forcave të Armatës së Republikës së Maqedonisë, në kohë t’i dorëzojnë informatat e domosdoshme deri te ARM-ja, ndërsa ARM-ja të jetë e gatshme t’u përgjigjet kërkesave.

Komunat në Republikën e Maqedonisë, në pajtueshmëri të konkluzioneve, ndërsa posaçërisht në rajonin e Pollogut, Pellagonisë dhe Shkupit menjëherë duhet të fillojë me aktivitetet për vlerësim të dëmeve nga përmbytjet, përmes formimit të komisioneve komunale për konfirmim të dëmeve të shkaktuara, në pajtueshmëri të dispozitave ekzistuese ligjore.

SHA Ujësjellësi i Republikës së Maqedonisë, që sonte, duhet të përgatisë dhe deri te Komiteti drejtues të dorëzojë plan të pikave kritike dhe gjatë ditës së nesërme të dalin në terren dhe ta sanojnë gjendjen.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendrën për Menaxhim me Kriza duhet të mbajnë takim koordinues në të cilin Ministria e Mjedisit Jetësor do t’i prezantojë planet për menaxhim të integruar me shtretërit lumor, në pajtueshmëri të Ligjit për ujëra.

Bashkësia e njësive të vetëqeverisjes lokale, konkluzionet e miratuara në këtë seancë të Komitetit drejtues duhet t’i dorëzojë deri te të gjithë komunat në Republikën e Maqedonisë, në drejtim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve të domosdoshme për pengim në kohë dhe parandalim të paraqitje nga përmbytje eventuale.