Aktiviteti fizik, ilaç për njeriun

20

Në kushtet e pandemisë nuk duhet ndalur aktiviteti fizik, sado i reduktuar në kohë dhe sforcim të jetë. Veçanërisht për njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike jo të transmetueshme. Mbi të gjitha, ekspertët thonë se në bazë të kërkimeve, aktiviteti fizik ndikon dhe ul vdekshmërinë të paktën me 7% në pacientët që vuajnë nga tumoret, madje për disa prej tyre edhe deri në 20%. Dhe mjaftojnë 30 minuta lëvizje në ditë, edhe në kushtet e shtëpisë.

Sipas mjekëve specialistë të Onkologjisë në Itali, më aktivitetin fizik, në vit mund të evitohen rreth 1000 vdekje. Gjithashtu përfitimi kryesor është përmirësimi i jetës në çdo moshë dhe i gjendjes psikofizike dhe kjo gjë shërben më shumë se kurrë në kushtet e pandemisë aktuale.

Sipas Entit Onkologjik Italian, shumë lloje tumoresh mund të parandalohen me ushtrimin fizik dhe kjo është vërejtur në bazë të statistikave. Kështu që, për këtë arsye dhe për dhjetëra të tjera, aktiviteti fizik, qoftë edhe i moderuar, është ilaç për njeriun.