“Shqiptarët në Maqedoni nuk janë kundër pavarësisë së Maqedonisë dhe njohjes së sajë nga ana e Bashkësisë Evropiane dhe e shteteve anëtare të saj, me kusht që edhe atyre tu njihet Autonomia Politiko-territoriale si hap kah zgjidhja e drejtë dhe e barabartë e çështjes shqiptare, në pajtimin me Aktin Final të Helsinkut 1975 dhe Kartës së Parisit për një Evropë të re (1990), dokumente këto që e njohin të drejtën e vetëvendosjes për secilin popull…”
Nga Qerim LITA
Dy ditë pas përfundimit të referendumit (14 janar), Komisioni qendror për organizimin e Referendumit, në selinë e Kuvendit të APTSHM-së (Gostivar) organizoi një pres konferencë, me ç’rast u theksua se përkundër përpjekjeve të organeve policore për ta penguar mbajtjen e tij, i njëjti përfundoi me një sukses të jashtëzakonshëm. Nga gjithsej 383.894 votues shqiptarë të regjistruar në 17 komunat prkatëse, në votim kishin dalë 361.627, prej tyre 361,263 kanë votuar “PRO” Autonomisë Politike -Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, 57 “KUNDËR” dhe 307 fletëvotime të pavlefshme.
Gjithnjë sipas të dhënave të Komisionit, krahas 17 komunave të përmendura, referendumi ishte organizuar edhe për qytetarët shqiptarë me punë të përkohshme në Kosovë, Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë si dhe 15 shtetet e Evropës Perëndimore, ShBA, Kanada dhe Australi. Referendumi u përcoll edhe nga disa gazetar të agjencive ndërkombëtare si: “Zëri i Amerikës”, “Frans Pressi”, “Elefterotipia”, agjencitë telegrafike të Austrisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të ShBA-ve. Referendumin e madhështoi prezenca e një delegacioni të lartë të ShBA-ve, në krye me ish kongresistin dhe lobistin e njohur shqiptar, Jozef Diogardi, i shoqëruar nga kryetari i Kongresit të Fondacionit të Lirë, Pol Weriç, gazetari Xhon Fonda, Osman Osmani dhe Mark Lleshi. Ky delegacion drejtpërdrejti u njoftua me pozitën e pavolitshme të shqiptarëve në Maqedoni, ku siç thuhet në Informatën e Komisionit Qendror për Informim “vetë ata qenë dëshmitarë në Strugë dhe Kërçovë se si policia i konfiskonte kutitë e votimeve dhe materialet votuese si dhe keqtrajtimin e anëtarëve të Komisionit votues”. Nga po kjo polici, thuhej në vazhdim të informatës “edhe atë vetë disa herë u keqtrajtuan duke ua kontrolluar valixhet e tyre gjatë udhëtimit prej Gostivari për në Kumanovë”.
Është me rëndësi të theksohet se me rastin e mbajtjes së Referendumit, Kuvendit të APTShM-së, i arritën shumë telegrame dhe letra përshëndetëse nga disa personalitete të rëndësishme ndërkombëtare, që me këtë rast po e veçojmë letrën e ministrit për Punë të Jashtme të Belgjikës, atë të ministrit për Punë të Jashtme të Irlandës, Lordit Karington, shoqatës Shqiptaro-Amerikane, Jozef Diogardi etj.
Suksesi aq i madh që u arrit në Referendum, nxiti udhëheqjen e Kuvendit të APTShM-së të ndërmerr hapa konkret drejt jetësimit të tij. Menjëherë pas përfundimit të Referendumit, Kryesia e Kuvendit, mbajti mbledhje në të cilën u vendos të grumbullohen 150.000 nënshkrime, që ishte parakusht për ngritjen e iniciativës për ndryshimin e Kushtetutës. Për këtë qëllim, dy komisioneve: Komisioni për hartimin e tekstit për ndryshimin e Kushtetutës si dhe Komisioni për përcaktimin e shtrirjes së Autonomisë, iu rekomandua që sa më parë që është e mundur, t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre. Në kuadër të Komisionit të parë u përfshinë edhe një numër i konsiderueshëm i ekspertëve shqiptarë, profesor të njohur të Universitetit të Prishtinës, siç ishin: Esat Stavileci, Gazmend Pula, Zejnulla Gruda, Iliaz Kurteshi etj., me ndihmën e të cilëve së shpejti u përgatit teksti, përkatësisht “Propozimi për ngritjen e iniciativës për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”, i cili përbëhej prej tetë (8) pikave:
“1. Me preambulën e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë të shprehet e vërteta historike se popuj konstituiv të Republikës së Maqedonisë janë populli maqedonas dhe shqiptar, të cilët gjatë historisë kanë luftuar bashkërisht për liri nacionale dhe shtet të përbashkët.
- Republika e Maqedonisë të ndërtohet si shtet modern, social, demokratik i qytetarëve dhe popujve të barabartë dhe sovran me ndërtimin e përmbajtjeve të atilla të Kushtetutës që do të sigurojnë dhe garantojnë:
- a) Përdorim të barabartë zyrtar të gjuhëve të kombeve dhe nacionaliteteve në të gjitha nivelet;
- b) Përfshirje proporcionale në organet shtetërore dhe pushtetin lokal;
- c) Status të barabartë në lëminë e arsimit, shkencës, kulturës dhe veçorive nacionale nëpërmjet të garantimit të të drejtave për shkollim në gjuhën amtare në të gjitha nivelet, formimin e institucioneve nacionale për kultivimin e kulturës nacionale, historisë dhe traditave si dhe përdorimit të lirë të simboleve kombëtare.
3) Rendi juridik efikas, si garancë për siguri juridike të qytetarëve dhe kolektiviteteve nacional me ndarje strikte të pushtetit ligjdhënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.
- Organizimi dhe funksionimi i pushtetit të mbështetet në njësitë lokale dhe rezultatet e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
- Krijimi i mekanizmit kushtetuese për mbrojtjen e garancave kushtetuese. Në këtë kuptim Kuvendi i R. së Maqedonisë të jetë dydhomësh: Dhoma e qytetarëve dhe Dhoma e kombeve dhe kolektiviteteve nacionale në të cilat konsensusi do të jetë kriteriumi themelor i vendosjes.
- Status i barabartë në lëminë e informimit nëpërmjet të së drejtës së kombeve dhe kolektiviteteve nacionale për informim në gjuhën e tyre amtare.
- Konstituimi i sistemit ekonomik stabil juridiko-kushtetues, i mbështetur në ekonominë e tregut dhe pronës juridiko-shtetërore me instrumente të ndërtuara për siguri individuale dhe kolektive, ekonomike dhe sociale të qytetarëve dhe kolektiviteteve nacionale.
- Të pranohet dhe garantohet në mënyrë juridiko-kushtetuese e drejta me aktet ndërkombëtare të miratuara, organizimi i autonomive politike të kombeve dhe nacionaliteteve që jetojnë në R. e Maqedonisë me ndërtimin e kaptinës së veçantë në Kushtetutën e Maqedonisë”.
Në fund, teksti i përshkruante shkaqet themelore, rreth kërkesës për ndryshimin dhe plotësimit të Kushtetutës, disa prej të cilave po i paraqesim në vazhdim: “degradimi i popullit shqiptar në pakicë nacionale; mohimi i subjektivitetit të tij konstituiv të shtetit dhe e drejta e tij për vetëpërcaktim; pabarazia e tij me kombin maqedon në të gjitha fushat; mohimi i autoktonisë së tij; mosrespektimi i vullnetit politik të shqiptarëve të shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe demokratike; mospërfshirja e tij proporcionale në organet e pushtetit shtetëror… etj.”.
Ndërkohë, edhe Komisioni për përcaktimin e shtrirjes së Autonomisë, hartoi projektin me titull “Vazhdimësia e elementit shqiptar në Maqedoninë e sotme”. Fillimisht projekti përcaktonte kufijtë, përkatësisht shtrirjen e shqiptarëve, ku thuhej shprehimisht: “Populli shqiptar shtrihet edhe në një hapësirë të gjerë të Maqedonisë së sotme, e cila fillon nga Kumanova me rrethinë, duke kaluar nëpër Shkup, pjesërisht nëpër Veles, Prilep, Krushevë dhe disa vende të tjera të Maqedonisë Lindore, ndërsa në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Prespë, Ohër vazhdon që të banojë duke mbaruar me Manastirin”. Sipas hartuesit të Projektit, shtrirje e popullit shqiptar nga Lindja shkon mes lumenjve Treska dhe Vardar, në drejtim të Veriut nga Morava Jugore dhe drejtohet nga Veriu në Jeni Pazar, përkatësisht, Pazari i Ri dhe del në Tivar. “Popullata shqiptare – theksohej në Projekt – gjithmonë ka qenë shumicë në këto hapësira në krahasim me grupet e tjera etnike të Maqedonisë së sotme, e në veçanti, në raport me popullin maqedonas”. Një rëndësi të veçantë i kushtohet edhe autoktonisë së shqiptarëve, e cila siç vihej në dukje, datonte që nga parahistoria dhe antika kur shqiptarët njiheshin si “Pellezgë e Ilirë”, ndërsa një kohë gjatë Mesjetës së hershme e më vonë, nën emrin “Arbëresh” dhe së fundi si “Shqiptarë”. Rrëzimi i sistemit monist, sipas hartuesve të Projektit “ngjalli shpresë të madhe të populli shqiptar në Maqedoni”, se më në fund “do t’i siguroj të gjitha të drejtat kombëtare”, ngjashëm sikurse edhe maqedonasit, mirëpo edhe kësaj radhe mbeti i degraduar, madje “nuk iu pranua as statusi i cili i qe garantuar në Mbledhjen e KAÇKM-së, të vitit 1944, as me atë të Kushtetutës së vitit 1974, që të jetë element shtetëformues”. I gjetur në këtë pozitë, theksohej në fund të dokumentit: “Populli shqiptar, u përcaktua nëpërmjet Referendumit të mbajtur më datë 11 dhe 12 janar të vitit 1992, me ç’rast 99% të votuesve u deklaruan për Autonomi Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni”.
Një dokument tjetër me rëndësi paraqet letra e kryetarit të Kuvendit të APTShM-së, Gjyliaz Fejzullahut, dërguar më 14 shkurt të vitit 1992 deri te Komisioni i Arbitrazhit, të cilën në vazhdim po e japim në formë të shkurtuar:
“…Me interes të veçantë lexuam pjesën e Raportit për njohjen e Republikës së Maqedonisë nga ana e Bashkësisë Evropiane dhe shteteve anëtare të sajë.
Me keqardhje konstatojmë se në raportin e Komisionit të arbitrazhit nuk janë marrë në konsiderim faktet e pakontestueshme natyrore, historike dhe aktuale të jetës dhe të veprimit të afro 40% të popullatës së tërësishme në këtë Republikë e cila i përket kombit shqiptar, e që me datë 11 dhe 12 janar 1992 nëpërmjet Referendumit u deklarua për Autonomi Politiko-territoriale në trojet e veta etnike.
Në raportin e Komisionit të Arbitrazhit të Bashkësisë Evropiane për Jugosllavinë u nënçmuan dhe u injoruan këto fakte të pamohueshme:
– se shqiptarët në Maqedoni jetojnë në trojet e veta etnike si popull autokton;
– se shqiptarët në Maqedoni i karakterizon kompaktësia e tyre etnike dhe territoriale;
– se shqiptarët në Maqedoni paraqesin një etnikum të veçantë nacional gjuhësor dhe kulturorë;
– se shqiptarët në trojet e veta etnike janë popull shumicë në regjionin përkatës;
– se statusi sovran dhe shtetformues i popullatës shqiptare i garantuar me nenin 1 të Kushtetutës së Republikës Socialiste të Maqedonisë nga viti 1974, me Kushtetutën aktuale është degraduar në nivelin e pakicës nacionale dhe kështu populli shqiptar barazohet me pakicat etnike, simbolikisht të përfaqësuara në strukturën nacionale të Maqedonisë – turqit, romët, vllehët etj.
– se mbi të drejtat njerëzore kolektive nacionale të shqiptarëve dhe nacionaliteteve tjera, nuk ekziston mekanizëm mbrojtës – konsensus;
– se të drejtat dhe liritë njerëzore individuale dhe kolektive të Maqedonisë sipas Kushtetutës në fuqi, janë të palimitueshme, kurse ato të tjerëve në mënyrë taksative limitohen ose përcaktohen me ligje të veçanta.
Të gjitha këto fakte u nënçmuan dhe u injoruan me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë të aprovuar më 17 nëntor të vitit 1991.
Me këtë rast shprehim bindjen tonë se shqiptarët në Maqedoni nuk janë kundër pavarësisë së Maqedonisë dhe njohjes së sajë nga ana e Bashkësisë Evropiane dhe e shteteve anëtare të saj, me kusht që edhe atyre tu njihet Autonomia Politiko-territoriale si hap kah zgjidhja e drejtë dhe e barabartë e çështjes shqiptare, në pajtimin me Aktin Final të Helsinkit 1975 dhe Kartës së Parisit për një Evropë të re (1990), dokumente këto që e njohin të drejtën e vetëvendosjes për secilin popull…”. (vijon nesër)