Rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti, në fjalën e tij premtoi se Universiteti i Tetovës gjithmonë do të mbështesë projektet dhe aktivitetet që kanë të bëjnë me personat me nevoja të veçanta
Urim HASIPI
Tetovë, 3 dhjetor – Universiteti i Tetovës me shumë aktivitete ka shënuar 3 dhjetorin – Ditën ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta në shenjë solidarizimi për personat me nevoja të veçanta. Si fillim, tanimë tradicionalisht Fakulteti Pedagogjik – Programi studimor Edukim Special dhe Rehabilitim ka organizuar një manifestim në bashkëpunim me nxënësit dhe edukatoret e paraleles speciale pranë shkollës fillore “Liria”. Rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti, në fjalën e tij premtoi se Universiteti i Tetovës gjithmonë do të mbështesë projektet dhe aktivitetet që kanë të bëjnë me personat me nevoja të veçanta. Fjalë rasti para të pranishmëve mbajti edhe dekani i Fakultetit Pedagogjik, Fatbi Osmani, si dhe shefi i programit studimor Edukim Special dhe Rehabilitim, Benjamin Memeti, i cili apeloi të mos mbetemi së shënuari vetëm këtë ditë dhe këto fëmijë ti kujtojmë një herë në vit, por të përkujdesemi për ata gjatë gjithë vitit.
“Shfrytëzoj nga rasti që të gjithë personave me nevoja të veçanta t’ua uroj ditën e tyre ndërkombëtare duke uruar që të mos mbetemi së shënuari vetëm se këtë ditë, por t’i respektojmë të përkujdesemi t’i trajtojmë, t’i edukojmë, mbrojmë dhe rehabilitojmë gjatë tërë vitit. Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për faktin se personat me nevoja të veçanta janë anëtarë të barabartë të shoqërisë, të cilët mund të kontribuojnë me përpjekjet e tyre më të mira dhe të pasurojnë jetën politike, sociale, kulturore dhe ekonomike”,tha shefi i Programit studimor Edukim Special dhe Rehabilitim, Benjamin Memeti.
Në ndërkohë, në ambientet sportive të Universitetit të Tetovës, Klubi i atletikës “Studenti”, shoqata “Handimak” dhe “Loja” kanë organizuar aktivitete me karakter sportiv me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara.
Në ndërkohë, edhe Muftinia e Tetovës me rastin e 3 dhjetorit – Ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta në bashkëpunim me Komunën e Tetovës ka ndarë ndihma për nxënësit e paraleleve ku mësojnë fëmijët me nevoja të veçanta. Drejtuesit e muftinisë së Tetovës dhe Komunës së Tetovës janë shprehur se kujdesi ndaj këtyre fëmijëve duhet të jetë më i madh jo vetëm nga institucionet, por edhe nga vetë shoqëria në përgjithësi që ata të mos ndjehen të diskriminuar.
“Dita e sotme në fakt është një ditë që ka të bëjë me personat më të veçant dhe gjithmonë aktivitetet tona bazohen në dy shkolla, në shkollën fillore ‘Liria’ ku janë në procesin mësimore fëmijë me nevoja të veçanta të mësimit në gjuhën shqipe dhe shkollën tjetër ‘Kikish’, ku mësojnë fëmijë me nevoja të veçanta në gjuhën maqedonase. Siç e dini, gjatë gjithë këtyre viteve, aktiviteti ynë i ndihmuar shpeshherë edhe nga donatorë të ndryshëm ka qenë përmirësimi i kushteve për këta fëmijë, po ashtu në proces e sipër në katër shkolla është procesi i inkluzionit të cilin e kemi së bashku me UNDP-në dhe në të cilin proces kemi të angazhuar 20 psikolog dhe defektolog me qëllim të ndihmesës së fëmijëve, të cilët kanë nevojë për këtë lloj ndihmese për tu kyçur më lehtë në procesin mësimor”, tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Në ndërkohë, drejtoresha Shpresa Iseini është shprehur mirënjohëse që institucionet nuk i harrojnë këta fëmijë që edhe ata të ndjejnë kudjesin si nga shkolla, por edhe nga institucionet fetare dhe shtetërore. Përndryshe, në Tetovë, edhe pse ka shumë organizata që merren me problematikën e personave me aftësi të kufizuar, megjithatë ende ekzistojnë shumë barriera për këta persona, sepse ata vështirë gjejnë punë dhe socializohen shumë rëndë në rrjedhat shoqërore. (koha.mk)