Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi gjatë një takimi ranë dakord që në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot – Skënderbeut të dyja vendet të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta në fushën e kulturës. Gjatë këtij takimi, ministri Gashi e njohu ambasadorin e Shqipërisë rreth të gjitha angazhimeve dhe përgatitjeve që po bën qeveria e Kosovës dhe MKRS në shënimin e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Theksi i veçantë gjatë këtij takimi iu kushtua koordinimit të përbashkët në zhvillimin e aktiviteteve, që do të realizohen me këtë rast, si dhe për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Qyteti i Prizrenit do të jetë qendra kryesore e zhvillimit të të gjitha aktiviteteve, që do të mbahen me rastin e vitit mbarëkombëtarë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
“Institucionet më të larta kulturore të të dyja vendeve do të bashkërendojnë aktivitetet që përmes kulturës, nderimi për figurën e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të jetë në lartësinë e figurës së tij”, thuhet në komunikatën për media të MKRS-së.