Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 2 prill – Shtabi i krizës në Dibër ka informuar për aktivitete të shumta humanitare që po realizohen në komunë. Kryqi i Kuq nëpërmjet vullnetarëve të tij realizon sigurimin me ushqime dhe medikamente për shumë qytetarë të moshuar, shkruan gazeta KOHA.
Praktikohet sistemi i blerjes dhe dërgimit deri në shtëpi atë që u nevojitet familjeve me persona të moshuar dhe të sëmurë nga sëmundje të ndryshme, ka deklaruar kryetari i Dibrës, Hekuran Duka. Ai shtoi se do të fillojë edhe ndarja e ndihmave humanitare me ushqime, të cilët do të realizohen nga shoqatat humanitare edhe atë vetëm nëpërmjet një liste të përbashkët ku janë ranguar familjet sipas prioriteteve në nevojë.
Në ndërkohë, nga 19 testet e bëra në Dibër për koronavirus, 15 teste kanë dalur negative, kurse për katër të tjera pritet që rezultatet të dalin më vonë. Po ashtu pritet që për 11 persona nga Dibra që janë në shërim shtëpiak, të bëhet testimi i dytë dhe nëse edha testimi i dytë del negativ, ata atëherë do të jenë të shëruar krejtësisht.
Duka informoi gjithashtu se ju është mundësuar nëntë dibranëve që punojnë jashtë shteti, të udhëtojnë drejt Gjermanisë. Shtabi dha vlershmin se bashkëpunimi në këta momente të rënda me policinë, armatën dhe institucionet të tjera që veprojnë në komunë është në nivelin e duhur dhe efektiv. Duka gjithashtu tha se jemi afër përfundimit të situatës së krizës, “por kjo nuk do të thotë që të mos i respektojmë masat qeveritare”. Ne, vijoi më tej ai, duhet të jemi vigjilent dhe të respektojmë masat mbrojtëse që janë në fuqi. (koha.mk)