Vatikan, 27 dhjetor – Gjykata e Vatikanit e shqiptoi aktgjykimin e parë me akuzë për larje të parave në historinë e Selisë së Shejtë, njoftoi DPA.
Siç kumtoi sot Pres shërbimi i Vatikanit, aktgjykimi i është shqiptuar një tregtari italian me pronë të patundshme Anxhelo Projekti, i cili është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burg dhe konfiskim të mbi një milion euro.
Mjetet e konfiskuara janë para të Projektit të deponuara në Bankën e Vatikanit, emri zyrtar i të cilës është Instituti për aktivitete fetare, që janë ngrirë kur filloi hetimi kundër tij në vitin 2014.
Në kumtesën e Pres shërbimit thuhet se ky aktgjykim është me rëndësi kyçe në kontekst të përpjekjeve të Vatikanit që ta përmirësojë reputacionin e vet kur bëhet fjalë për luftë kundër keqpërdorimeve financiare dhe krimit.
Komiteti ekspert për vlerësim të masave kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit pranë Këshillit të Evropës vitin e kaluar në dhjetore ka kritikuar Vatikanin se nuk ka zbatuar procedurë të tërësishme gjyqësore në asnjë rast të larjes së parave.
Vatikani tenton të arrijë përparim në transparencën financiare, pasi me dekada Banka e Vatikanit ishte e akuzuar se lanë para të fituara në mënyrë joligjore të mafias italiane dhe të personave që kanë fshehur tatim.