Urim HASIPI
Tetovë, 5 mars – Komuna e Tetovës, Sektori për Punë të Brendshme -Tetovë dhe Inspektorati shtetëror i tregut, ditëve në vazhdim do të fillojnë aksion të koordinuar për lirimin e hapësirave publike, trotuareve dhe sipërfaqeve të gjelbëtra, shkruan gazeta KOHA.
“Njoftojmë se në pajtim me nenin 5, paragrafi 4, nga Ligji për Pastërti Publike, duhet që ta lironi hapësirën publike përpara lokalit tuaj afarist, i cili duhet të jetë në shërbim publik i dedikuar për të gjithë këmbësorët dhe qytetarët e Tetovë. Pastrimi dhe lirimi i hapësirës publike dhe trotuareve bëhet me qëllim që të mundësohet qarkullim i lirshëm i këmbësorëve, të mundësohen shtigje të sigurta qarkullimi për nxënësit, fëmijët dhe nënat me fëmijë, të mundësohet lirimi i hapësirave të gjelbërta dhe të njëjtat të vendosen në funksion të shfrytëzimit të lirë nga të gjithë qytetarët e Tetovës”, thonë nga komuna e Tetovës. Pronarët e këtyre hapësirave të uzurpuara paralajmërohen se nëse nuk ndërmarrin masa për largimin e të njëjtave, atëherë këtë do ta bëjnë institucionet përgjegjëse.
“Lirimin e hapësirës publike, trotuareve dhe hapësirave të gjelbëra duhet patjetër ta bëni në afat prej 8 ditësh nga pranimi i këtij njoftimi. Në të kundërtën, shërbimet e Inspektoratit Komunal, i Ministrisë për Punë të Brendshme dhe Inspektorati shtetëror i tregut, do të inicojnë procedurë për largimin e tyre, në përputhje me predispozitat ligjore në fuqi”, paralajmërojnë nga Komuna e Tetovës. Nga ana tjetër, situata me uzurpimin e trotuareve vazhdon të jetë problem permanent në rrugët e Tetovës. Kësisoj, trotuare dhe rrugë të pakalueshme, vetura të parkuara gjithandej, ngarkim-shkarkim i mallit pa respektuar orarin prej orës 19 në mbrëmje deri ora 7 në mëngjes janë pjesë e kaosit në këtë qytet. Mallrat nëpër markete të ndryshme zbarkohen edhe në mes të ditës, ndërsa transportuesit e bllokojnë rrugën dhe më pas krijohet tollovia në rrugët e Tetovës edhe pse ekziston një vendim i sjellë nga përbërja e kaluar e Këshillit të Tetovës që ngarkim-shkarkimi i mallit në disa rrugë të qytetit të bëhet me orar të caktuar. Këtë vendim nuk e respektojnë as marketet në rrugën Industriale në Tetovë, e cila më herët njihej si më e lehtë për qarkullim dhe nuk krijohej tollovi, por tash edhe në këtë rrugë, gjysma e saj që të çon për në dalje të Tetovës për në Gostivar, është uzurpuar nga kamionët të cilët shkarkojnë mallin në mes të ditës.
Nga Komuna e Tetovës theksojnë se në bashkëpunim me policinë në këtë sferë do të ketë më shumë kontrolle që të vendoset një rend dhe standard se kur duhet që malli të ngarkohet apo shkarkohet. “Ka një vendim të Këshillit se kur duhet që të bëhet ngarkim-shkarkimi i mallit. Është evidente se ky vendim nuk respektohet dhe prandaj shumë shpejt – nëpër këto rrugë do të vendosen shenja njoftuese ku do të jetë i shënuar orari se kur pronarët mund të sjellin mallin nëpër marketet e tyre. Në të kundërtën, në bashkëpunim me policinë – do të ketë edhe sanksione adekuate. Po ashtu, në bazë të vendimit të Këshillit, nëse një pronar kërkon leje të posaçme, Inspektorati do të shqyrtojë kërkesën dhe më pas do të vendos se a do të jap leje që të ngarkojë apo shkarkojë mallin në orarin e kërkuar, gjithmonë nëse është e arsyeshme”, thonë nga shërbimi për informim në Komunën e Tetovës.
Dukuria e uzurpimit të hapësirave publike në Tetovë është problem që vite me radhë është aktual dhe assesi të gjejë zgjidhje. Malli në këtë pjesë të qytetit të Tetovës shkarkohet kur ju konvenvon atyre edhe pse në letër ka një vendim se kur duhet të bëhet ngarkim-shkarkimi. Kësaj situate i kontribuon edhe mospasja e një institucioni të vetëm që do të merret me këtë problematike. Qytetarët nga ana e tyre ankohen se në shumë raste duhet të zbresin në rrugë, pasi trotuaret janë të zënë nga automjetet e ndryshme. Më vështirë janë rrugët që çojnë për dalje nga qyteti, ku janë edhe të vendosura shumica e marketeve. Edhe rruga nga qendra e Tetovës për tek stadiumi i qytetit çdo ditë është e stërngarkuar me automjete të cilët shkarkojnë mall nëpër markete dhe kjo mjafton që kjo rrugë të jetë e bllokuar dhe e vështirë për qarkullim. (koha.mk)