Aksion i madh në Kosovë, policia bastis 10 lokale

Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt është duke zhvilluar një aksion kundër lokaleve të lojërave të fatit që funksionojnë ilegalisht.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar nga Policia e Ferizajit edhe Major Mehmet Ali Hajdini.

Ai tha se momentalisht janë duke i bastisur 10 lokale dhe se kanë siguruar prova, por aksioni nuk ka përfunduar ende.

“Po, momentalisht jemi duke i bastisur 10 lokale, jemi në proces e sipër, kemi siguruar prova deri tani, por ende nuk kemi përfunduar, detaje të tjera do të dalin më vonë”, tha Hajdini për lajmi.net.

Në Kosovë kohëve të fundit janë shtuar veprimtaritë e jashtëligjshme me lojëra të fatit.

Kjo pasi Kuvendi i Kosovës ka ndaluar me ligj funksionimin e tyre duke shfuqizuar Ligjin për Lojërat e Fatit.

Punonjësit e këtyre kompanive kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin hapa kundër këtij ligji.