Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Qytetit të Shkupit dhe Institutin për Transfuziologji, nesër do të organizojë aksion për dhurim të gjakut, grumbullim të produkteve ushqimore dhe të veshmbathjeve për të shënuar Ditën Kombëtare të Shërbimit dhe Përkujtimit.
Dhuruesit e gjakut, të ushqimeve të konservuara dhe veshmbathjeve të ruajtura do të priten në Ambasadën e SHBA-së nga ora 09:00 deri në 16:00. Në ora 11:00, ambasadori Xhes Bejli do t’ju drejtohet të pranishmëve, së bashku me sekretarin gjeneral të Kryqit të Kuq, Sait Saiti dhe drejtorin e Institutit për Transfuziologji, dr. Koço Dimitrovski, qëndron në kumtesën e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit. Përmes këtij aksioni në shërbim të komunitetit, donatorët do të ndihmojnë Kryqin e Kuq të rimbush rezervat e gjakut dhe të sigurojë ushqim dhe veshmbathje për familjet në nevojë për muajt e dimrit.
Dita Kombëtare e Shërbimit dhe Përkujtimit filloi në vitin 2002 në nder të viktimave, të të mbijetuarve dhe të gjithë atyre që ofruan ndihmë pas sulmeve të 11 shtatorit. Në vitin 2009, përmes ligjit dypartiak federal, Kongresi i SHBA shpalli 11 Shtatorin Ditë Kombëtare të Shërbimit dhe Përkujtimit. Në kumtesë shtohet se gazetarët që dëshirojnë të mbulojnë ngjarjen duhet të regjistrohen në Zyrën për Marrëdhënie me Publikun pranë Ambasadës së SHBA-ve (e-mail: [email protected]; [email protected] ose përmes telefonit në 310 2000 lokali 2023 ose 2402) më së voni deri në orën 16:00 të 11 shtatorit.