Në raportet e policisë së Tetovës është konfirmuar se në disa raste, gjatë kontrolleve – janë hasur edhe vozitës të cilët nuk kanë patur kategorinë adekuate të lejes për qarkullim dhe kanë drejtuar automjete të transportit publik
Urim HASIPI
Tetovë, 1 mars – Pas aksidentit tragjik në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona dhe rreth 40 të tjerë u lënduan, kur autobusi doli nga autostrada dhe u rrokullis në atarin e fshatit Llaskarcë, janë vënë në lëvizje edhe pjesëtarët e policisë rrugore. Deri para kësaj ngjarje, kontrollet ndaj autobusëve ishin shumë të rralla në këto hapësira, shkruan gazeta KOHA.
Më shumë se dy javë pas këtij aksidenti, një sërë kontrolle realizohen në Tetovë dhe Gostivar ndaj automjeteve që kryejnë transport publik, sidomos autobusëve, por nuk janë përjashtuar edhe minibusët, kombi furgonët e kështu me radhë. Nga Policia e Tetovës thonë se deri më 25 shkurt janë realizuar shumë aksione të kësaj natyre, për të parë gjendjen e automjeteve që transportojnë udhëtarë dhe kanë parregullsi teknike.
“Nga gjithsej 142 automjete të kontrolluara, tek 30 automjete janë konstatuar parregullsi teknike në pajisjet e frenimit, si dhe pajisjeve tjera për drejtimin e automjetit dhe pajisjet e ndriçimit të rrugës. Automjetet e këtilla menjëherë janë larguar nga trafiku, kurse shoferëve dhe personave juridik, u janë përgatitur fletëpagesat e parapara ligjore”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-së në Tetovë. Më tej, njoftohet se këto aksione janë zgjeruar edhe në territorin e Tetovës, ku është hasur në shumë automjete transportuese të pasagjerëve që kanë qenë duke qarkulluar në komunikacion por me shumë mangësi teknike.
“Gjatë kontrolleve në rajonin e Tetovës, vetëm gjatë kësaj jave janë kontrolluar 72 automjete që kryejnë transport publik, prej tyre 57 automjete janë dërguar në kontroll teknik, ku tek 28 automjete janë konstatuar parregullsi teknike edhe atë 16 automjete kanë qenë të parregullta në pajisjet e frenimit, 2 automjete me parregullsi tjera, 2 vetura kanë qenë me regjistrim të skaduar, 5 automjete nuk kanë pasur të kryer kontrollin teknik 6 mujor. Automjetet e pa rregullta teknike, menjëherë janë larguar nga trafiku, kurse shoferëve dhe personave juridik, u janë shqiptuar dënime”, është shprehur Rexhepi. Në ndërkohë, nga Stacioni për Siguri në Komunikacionin rrugor në Tetovë dhe Gostivar, thonë se pas aksidentit tragjik, janë përforcuar kontrollet ndaj automjeteve që kryejnë transport publik.
Sipas Besir Qamili, zëvendës komandat i Stacionit për siguri në komunikacionin rrugor, zakonisht këto automjete kanë parregullsi me frenat dhe me ndriçimin. “Kohët e fundit i kemi shtuar masat në teren me kontroll shtesë ku bëjmë matjen e shpejtësisë, gjendjen teknike të veturave, ku kemi shfrytëzuar stacionet për kontrollet teknike. Ne kemi realizuar kontrolle ndaj këtyre automjeteve dhe kemi hasur parregullsi teknike, pas çka kemi marrë masa adekuate. Bëhet fjalë për automjete që janë të parapara për transport publik. Gjatë kontrollit janë hasur automjete që kanë parregullsi me frenat, pajisjet e drejtimit gjegjësisht timonit dhe pajisjet e ndriçimit.”, thekson Qamili. Ndërkohë, në raportet e policisë së Tetovës, dërguar mediave, është thuhet se në disa raste gjatë kontrolleve janë hasur edhe vozitës të cilët nuk kanë patur kategorinë adekuate të lejes për qarkullim dhe kanë drejtuar automjete të transportit publik. (koha.mk)