Banorët si zgjidhje të këtij problemi nënvizojnë faktin e vendosjes së murit mbrojtës në pjesët më të rrezikshme për të shmangur ndonjë fatkeqësi
Urim HASIPI
Tetovë, 18 shkurt – Disa akse rrugore për në fshatrat e Malësisë së Tetovës vijojnë të jenë të rrezikshme për banorët të cilët qarkullojnë përgjatë tyre. Bëhet fjalë për rrugën Tetovë-Sellcë-Vicë dhe rruga Tetovë për në kalanë Balltepe. Përgjatë këtyre dy rrugëve hasen erozione të dheut në shumë vende. Krahas kësaj, po ashtu ka edhe shembje të rrugës në disa vende. Kjo dukuri ndodh më shumë gjatë kohës kur ka reshje të shiut dhe borës. Ata që e frekuentojnë këtë rrugë më shpesh janë banorët e vendbanimeve Llacë, Sellcë dhe Vicë. Këta banorë shprehen të shqetësuar se gjatë lëvizjes për në qytet dhe anasjelltas mund të goditen edhe nga gurë të mëdhenj. Këta banorë ndihen të rrezikuar sidomos në këtë periudhë. “Sigurisht se jemi të shqetësuar dhe frikësuar. Këtu kalojnë me qindra automjete në ditë dhe ka nevojë që të vendosen mbrojtëse prej rrjeti ose mburoja tjera adekuate. Disa ditë më parë ishte shkëputur një gurë i madh në moment kur kanë kaluar vetura, dhe për pak kanë shpëtuar nga më e keqja” thotë një banor i fshatit Vicë.
Janë të shumtë ata banorë që kërkojnë të merren masa nga ana e Komunës së Tetovës për të evituar ndonjë tragjedi më të madhe. “Edhe pse rruga është e re dhe e asfaltuar, megjithatë gjatë kohës kur ka reshje të shpeshta, shfaqet kjo dukuri e erozionit të dheut prej nga ka edhe rrëshqitje të gurëve. Po ashtu edhe rruga është shembur në disa vende, sidomos në pjesët anësore. Kërkojmë që të intervenohet sa nuk është vonë” pohojnë banorë të këtyre fshatrave.
Edhe pse një pjesë e rrugës ka disa vite që është asfaltuar, megjithatë e njëjta ka pësuar plasaritje në disa vende, pikërisht nga reshjet e shiut dhe të borës që shkaktojnë erozion të dheut. Nga Komuna e Tetovës kanë njoftuar se do të marrin masa kur të lejojnë kushtet klimatike. Në gjendje të këtillë janë edhe akse tjera rrugore, sidomos rruga Brodec-Bozovcë. Ndonëse në disa raste janë asfaltuar këto rrugë, megjithatë shumë pak rëndësi u është kushtuar pjesëve mbrojtëse dhe anësore, të cilët do të mbronin këto rrugë nga shkatërrimi dhe njëkohësisht do të evitonin edhe shembjen e dheut. Banorët si zgjidhje të këtij problemi nënvizojnë faktin e vendosjes së murit mbrojtës në pjesët më të rrezikshme për të shmangur ndonjë fatkeqësi. Krahas kësaj, po ashtu problem në vete është se shumë qytetarë qarkullojnë në këmbë deri në kalanë e qytetit, dhe ata mund të pësojnë nga rrëshqitja e gurëve nga viset më të larta. Një situatë e këtillë paraqitej vite me radhë edhe në rrugën nga Tetova për në Banjën e qytetit ku u intervenua me vendosjen e një muri mbrojtës. (koha.mk)