Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi deklaroi se të gjitha tentativat për pengim në konsolidimin e bllokut opozitar bëhen nën stafetën e Ali Ahmetit dhe Artan Grubit ose i paguajnë ose i frikësojnë apo edhe i kërcënojnë. Ndërkaq, analistët thonë se ngjarjet e fundit politike janë të strukturuar në atë formë që vështirë të ketë diçka të frytshme më tej
Zenel MIFTARI
Shkup, 25 korrik – Dalja e Izet Mexhitit nga radhët e BDI-së dhe paralajmërimi i tij se do ta formoj lëvizjen e tij politike ka krijuar një domino efekt në skenën politike. Një fotografi e shpërndarë ku shihen Mexhiti, Kasami dhe Gashi bashkë dhe bëjnë paralajmërime se do të angazhohen fuqishëm për të unifikuar zërin opozitar në vend, ka shkaktuar edhe një ndarje tjetër.
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arijanit Hoxha, përmes një statusi në Fejsbuk paralajmëroi tërheqje nga aktiviteti politik. Ai shkroi se nga dita e hanë distancohem plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturin “bllok opozitar”. “Duke vlerësuar se aktorët kryesor, bartës të kësaj nisme nuk kanë për qëllim rotacionin politik, por thjesht ‘lavazhin’ e figurave politike të cilët jo shumë larg nga sot ishin pikërisht aktorë për mbajtjen gjallë të qeverisjes aktuale dhe parandaluan rotacionin në kampin politik shqiptar”, tha Hoxha. Ndërkaq, këtij të fundit iu bashkëngjit edhe deputeti i kësaj partie, Bastri Bajrami.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Blerim Hyseni për gazetën KOHA, ka deklaruar se tani më është bërë e ditur se para çdo cikli zgjedhor në Maqedoninë e Veriut dalin individ nga tabore të ndryshme politike të cilat çojnë kokën për t’u faktorizuar duke bërë akrobacione të ndryshme politike. “Po dëshmohet se tendenca për të fragmentuar skenën politike shqiptare në Maqedoni dhe tani më ajo është shumë e fuqishme, madje ndoshta më e fuqishme se asnjëherë më parë. Me apo pa vetëdije këto veprime po çojnë ujin në mulli të huaj sepse rezultati zgjedhor do të dëshmojë se të gjitha këto lëvizje do të dëmtojnë rënd trungun e elektoratit shqiptar. Personalisht nuk jam kundër që të kemi subjekte politike por jam kundër që ato të jenë parti ‘mëhallash’ apo qytetesh. Edhe te shqiptarët duhet të ketë oferta zgjedhore por ato duhet të jenë më të unifikuara sepse tek e fundit edhe të gjitha këto akrobacione thuaj se asnjëra nuk dallohet nga tjetra”, u shpreh Hyseni.
Ai tha se për disa vite me radhë në skenën politike kemi disa individ të njohur për opinionin që dy cikle zgjedhore nuk i bëjnë në të njëjtin subjekt politik, por çdo fushatë e presin me ndonjë subjekt tjetër politik! Sipas tij, kjo është e çuditshme dhe e pa kuptueshme sepse po sillen figura të njëjta ndërkohe që gojën e kanë plotë me oferte se të rinjtë duhet të jenë aktiv dhe të përfshihen figura të reja në politikë. “Kjo deri më tani ka mbet vetëm farse dhe asgjë më shumë. Prandaj vlerësoj që nëse në zgjedhjet e kaluara arritëm ta maksimalizojmë votën shqiptare, kështu siç kanë marrë hov në zgjedhjet e ardhshme sado që është ende herët, vota shqiptare do të jetë e devalvuar dhe e nëpërkëmbur”, nënvizoi në fund Blerim Hyseni.
Nga ana tjetër, analisti Agim Jonuz, për gazetën KOHA, u shpreh se blloku politik shqiptar përgjatë kohë është jashtë filozofisë “për një kauzë dhe mision të përbashkët”. Sipas tij, e gjithë kjo është një kombinatorikë në të cilën po zhvillohet betejë për kapjen e “pozicioneve”, ku ajo shihet si fuqi, kontroll dhe menaxhim të terrenit. “Çfarëdo analizë filozofike, përveç luftës për pozicione është e gabuar. Shqiptarëve në Maqedoni absolutisht nuk u duhen më shumë se dy parti, njëra prej të cilave do të ishte në Qeveri dhe një tjetër që do të ishte gjithmonë në opozitë si korrigjuese. Biznesin në terren gjithmonë e kontrollon partia e cila është në Qeveri. Politika, kauza dhe lufta për pozicionimin e shqiptarëve në Maqedoni tani më janë sekondare dhe biznesi e kontrolli i terrenit janë bërë primare”, u shpreh Jonuz.
Ai shtoi se gjithçka tjetër është filozofi e populizmit, e cila humb edhe logjikën, pasi pushteti e Qeveria janë të ëmbla dhe të gjithë luftojnë për të metoda të ndryshme. Jonuz në fund tha se filozofia e “shtyrjes me bërryla të flamujve dhe luftës për një të nesërme më të mirë” zbret në filozofinë e “e shtyrjes me bërryla për karrige dhe për fitim të mirë”.
Nga ana tjetër, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, deklaroi se të gjitha tentativat për pengim në konsolidimin e bllokut opozitar bëhen nën stafetën e Ali Ahmetit dhe Artan Grubit ose i paguajnë ose i frikësojnë apo edhe i kërcënojnë. “Në këtë mënyrë BDI zbulon lojtarët e saj të brendshëm në opozitë. Natyrisht, ekziston një frikë e madhe nga konsolidimi i bllokut opozitar. Dhe frika nuk ka kurë”, thotë Gashi. (koha.mk)