Çerdhja dibrane ka përfituar edhe projekte të ndryshme ndërkombëtare. Në kuadër të projektit Erazmus Plus, fëmijët, por edhe edukatoret, kanë përfituar trajnime të ndryshme të cilët janë në interes të edukimit të përgjithshëm
Vjollca SADIKU
Dibër, 19 dhjetor – Çerdhja “Breshia” e Dibrës luan një rol të madh në edukimin të fëmijëve në vitet parashkollore. Ky institucion, i cili ka filluar me punë në Dibër para pesë dekadave, në kontinuitet ka rritur kushtet për akomodimin e fëmijëve. Por, gjatë dekadës së fundit rezultatet janë të mëdha. Përmes realizimit të shumë projekteve, sot çerdhja “Breshia” posedon standarde evropiane për fëmijët e qytetit. Drejtoresha e këtij institucioni parashkollor, Ajrie Daçi thekson se aktualisht numri i fëmijëve në këtë çerdhe sot është 360. Ajo pohoi se në krahasim me vitet të tjera, ky numër është shumë më i madh, dhe shton se kushtet të cilat i posedon çerdhja, së bashku me kuadrin e saj profesional, ndikojnë tek prindërit që ata t’i sjellin fëmijët në çerdhe. Këtu janë akomoduar fëmijët parashkollor të të gjitha moshave në grupe të caktuara, edhe atë duke filluar nga mosha 9 mujore e deri tek mosha 5 vjeçare. Në çerdhe realizohen të gjitha projektet dhe programet të cilët kanë marrë dritë jeshile nga Ministria e punës dhe politikës sociale.
“Kuadri i edukatoreve është në nivelin e duhur. Duhet theksuar se përveç hapësirave në të cilat fëmijët kalojnë ditën, objektet posedojnë edhe kuzhinë moderne, ku ata ushqehen. Po ashtu, në të dy objektet e çerdhes “Breshia” ka kënde speciale të lodrave, të cilat janë të pajisura me të gjitha lojërat e nevojshme” tregon drejtoresha Ajrie Daçi.
Një vend të veçantë në këtë institucion kanë aktivitetet rreth përgatitjes së programeve. Pothuajse gjatë gjithë vitit, edukatoret së bashku me prindërit përgatisin programe të ndryshme kushtuar festave, si dhe karnavale, ekspozita me vizatime etj. “Bashkëpunimi mes drejtorisë dhe prindërve është në nivelin e lartë” thotë Daçi.
Çerdhja dibrane ka përfituar edhe projekte të ndryshme ndërkombëtare. Në kuadër të projektit Erazmus Plus, fëmijët, por edhe edukatoret, kanë përfituar trajnime të ndryshme të cilët janë në interes të edukimit të përgjithshëm. Në kuadër të këtij projekti, ekspertë të çerdheve nga shumë vende të Evropës kanë qëndruar në çerdhen e Dibrës, por edhe edukatore nga çerdhja e Dibrës kanë patur trajnime në vendet evropiane. Në këtë drejtim, vlen për tu theksuar edhe fakti se çerdhja ka realizuar edhe projekte për fëmijët me nevoja të veçanta.
Në çerdhen “Breshia” nuk kanë të ndalur projektet. Aktualisht, në fazë ndërtimi është edhe një objekt i ri, ku do të ketë sallë për nevojat e fëmijëve, edhe atë sipas standardeve evropiane, si dhe një hapësirë për punëtorët e administratës. Ndërtimi i sallës ka një domethënie shumë të madhe për përgatitjen psikofizike të fëmijëve, por edhe për prezantimin e programeve të tyre. Ky është një projekt që realizohet me mjete vetanake të kopshtit, por edhe me një përkrahje të Ministrisë së punës dhe politikës sociale. Ndërtimi i këtij objekti faktikisht mundëson që fëmijët e Dibrës kenë të gjitha mundësitë, ashtu siç i kanë fëmijët edhe në vendet evropiane.
Për rezultate që ka arritur, Çerdhja e Dibrës disa herë është shpallur si më e mira në vend. Drejtoria e çerdhes ka një bashkëpunim shumë të mirë me shumë çerdhe nga vendi, por edhe me çerdhet nga Turqia, Bullgaria, Rumania dhe shtetet tjera të Evropës, në kuadër të projekteve të ndryshme. (koha.mk)