Dua të propozoj: Brenda Akademisë së Shkencave të Maqedonisë të hapet një departament për shqiptarët. Këtë ta drejtojë Qullafkova. Po, po, vetë ajo. Të bashkëpunojë me akademikë dhe shkencëtarë tjerë dhe të bëjë zbulime madje po të dojë të vërtetojë hipoteza që i ka në kokë, por me një kusht, të pranojë në fund që e ka pasur gabim, nëse studimi i del ashtu. Pra kushti është të jetë shkencëtare prej vërteti!
Nga Nazim RASHIDI
Gjithçka që lidhet me akademinë ka të bëjë me shkencë. Ka të bëjë me një thirrje të lartë ku dedikimi që kanë, puna e madhe dhe zbulimet që i bëjnë studiuesit dhe shkencëtarët i vënë në shërbim të njerëzve dhe humanizmit. Por jo gjithmonë shkenca dhe faktet kanë dominuar mendjet “akademike”. Ka përplot raste kur një ide apo hipotezë është e marrë si e mirëqenë dhe pastaj “shkencëtarët” kanë tentuar që ta verifikojnë atë. Këto janë sharlatanët e shkencës.
E përmend këtë, sepse prej ditësh ka një debat mes akademikëve, akademisë shqiptare, shqiptarëve akademikë etj. Për mua, një gjë ka qenë parim dhe është, që me shkencën s’ka kompromis dhe nëse je shkencëtar sado pak ke bërë kompromise me ide, ideologji, parime që është krejt në rregull, atëherë shkenca lëkundet. Dhe një rast tipik i tillë është Katica Qullafkova.
As më bëjnë përshtypje titujt dhe punimet e saj ku sa herë flet i del në sipërfaqe gjithë mllefi i saj që kryesisht ka të bëjë me shqiptarët. Mbase i bazuar në akademikët serbë! Në janar të vitit 2020 ajo fliste për “shqiptarizimin” e Maqedonisë. Pra vetëm para pak vitesh. I pengonte që rrethina e Shkupit evidentohet ose konsiderohet bashkë me pjesën qendrore të kryeqytetit, i cili për ironi ka një lagje në zemër të tij, që quhet “Mahalla e Dibrës”. Me siguri Qullafkova e kapërcen këtë lagje! Sugjeronte se pa Haraçinën apo dhe fshatrat e tjera, Shkupi do ishte i pastër me maqedonas. Imagjinoni çfarë mendje ka një shkencëtare që duhet të jetë e nivelit të lartë. Raciste e pastër.
Më rregull, mbase punimet si ka me ngarkesa të tilla dhe gjetjet shkencore i ka të mirëpunuara. Këto që flet ndërkohë në publik janë bindje personale. Edhe nëse është kështu, do të duhet të marrë një dënim publik. Sepse në sferën publike gjithçka e shfaqur merret dhe si model. Por ajo e di këtë dhe prandaj e bën dhe do që ta nxisë edhe më tej atë element urrejtës që shoqëria po tenton ta tejkalojë.
Atëherë çfarë t’i marrish kësaj më shumë në konsideratë?
Me një fjalë, futja!
S’ka asgjë shkencore dhe humanë në të!
Por meqë është temë dhe meqë nuk duhet të bëhet normë lehtësia e shfaqjes së ideve nënvlerësuese, duhet folur.
Në fakt as nuk dua të merrem me propozimet e saj, akademiku AbdylmenafBexheti ishte i qartë. As nuk ka vlerë heshtja e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, LupçoKocarev, i cili mendon se deklarata boshe si “nuk komentoj reagimet”, apo “do të diskutohet brenda Akademisë” do mjaftojnë.
Jo. Nuk mjaftojnë. Mendësitë e vjetra, nëse nuk dënohen dhe madje dhe lihen të shfaqen, aq më tepër kur janë të pa baza, do të sjellin vetëm dëm. Pra po aq përgjegjës për broçkulla akademike është dhe Kocarev kur nuk i dënon ato. Dhe kjo duhet të ndalojë.
Prandaj dua të propozoj. Brenda Akademisë së Shkencave të Maqedonisë të hapet një departament për shqiptarët. Këtë ta drejtojë Qullafkova. Po, po, vetë ajo. Të bashkëpunojë me akademikë dhe shkencëtarë tjerë dhe të bëjë zbulime, madje po të dojë të vërtetojë hipoteza që i ka në kokë, por me një kusht, të pranojë në fund që ka e pasur gabim, nëse studimi i del asht. Pra kushti është të jetë shkencëtare prej vërteti!
Pa ironi tani. Këto departamente besoj se duhen krijuar se me gjasë paska aq shumë nevojë që të njihen faktet dhe qasjet që mos ndodhin sërish përplasje në të ardhmen. Në shekullin 21, me gjithë atë akses në dije dhe metoda, s’ka pse të ketë interpretime mbi fakte shkencore. Atë që unë vë re është se nëse paragjykimet dominojnë edhe në qarqet më të larta akademike e shkencore, atëherë çdo mbesë për popullin tjetër?
Kjo frymë nuk duhet lejuar. Prandaj, le të vijë modeli nga instancat më të larta. Në këto departamente le të angazhohen dhe të studiojnë të gjithë bashkë. Njëlloj edhe akademikët shqiptarë le të futen në grupe punuese për çështje maqedonase. Madje akademia, që t’i ketë gjetjet sa më të pranueshme, le të ftojë edhe shkencëtarë të huaj, të përfshijë universitete prestigjioze.
Besoj s’ka asgjë për të fshehur nga ajo që zbulohet, apo? Pastaj këto gjetje mos t’i mbajnë për përdorim të brendshëm, apo fryrje të nacionalizmave ballkanik, por t’i ndeshin me shkencën e botës. Le të shohim, ja unë do i lexoj me ëndje besoj dhe të tjerë, se sa të besueshme do e kenë shkencën dhe gjetjet këto zbulimet e mirëfillta kur do të ndeshen me ato të botës.
Por e bëjnë dot këtë qullet e akademive? Ahhhh, dyshoj. Sa për kështu idesh kot më koti, që veç ndezin emocione boshe, s’kemi nevojë.
Që të arrihet kjo me elegancë, për departamente të tilla ku do përfshihen shkencëtarë nga grupe etnike (për mua kjo s’ka sens, sepse nëse je shkencëtar merresh veç me zbulime, por meqë ky është debati) qeveria të ndajë më shumë fonde. Po. Sa më shumë kërkime me autorë shumë etnik, aq më shumë para për studimin. Jam i bindur se do ndryshojë edhe narrativi dhe bindjet, por sigurisht edhe rezultatet.
Sërish pa ironi.
Janë aq të lodhshme dhe aq humbje kohe këto debate sa më vjen keq për të gjithë ne që nuk po arrijmë të bëjmë shkëputjen që të na sjellë atë zhvillim të munguar. Akademia s’është dhe s’do duhej të ishte strehë e regresit. Kjo logjikë duhej të ishte zhdukur. Por është aty. Prandaj duhet dënuar. Çdo herë, më shumë e më shumë, që mos mbesim ende në qullin e shkencës, por në dritën e nxënies së saj.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)