Akademia ushtarake shpalli konkurs për shkollim të pilotëve

Shkup, 7 shkurt – Konkurs për regjistrim të dëgjuesve të aftësimit profesional dhe përsosjes së gradës së aviacionit, kumtoi sot Akademia ushtarake “Gjenerali Mihajllo Apostollski”.

Nga Akademia u bëjnë thirrje qytetarëve të rinj të Republikës së Maqedonisë të cilët kanë përfunduar arsim të lartë, nuk janë më shumë se 28 vjeç dhe dëshirojnë të jenë pilotë të ardhshëm ushtarakë në Armatën e Republikës së Maqedonisë, t’i parashtrojnë aplikimet e tyre me dokumentet e nevojshme prej sot, më së voni deri më 9 mars.

Gjatë pranimit, merret parasysh suksesi i kandidatëve nga arsimi i lartë i përfunduar dhe kontrollimet për gatishmërinë fizike.

Selektimi i mëtutjeshëm, siç sqarojnë nga Akademia, përbëhet nga kontrollimi i njohjes së gjuhës angleze, kontrollet shëndetësore dhe selektimi në tokë dhe në ajër që bëhet në Qendrën për Trajnim të Pilotëve, që paraqet një ndër qendrat më të përsosura për trajnim të pilotëve në Evropën Juglindore.

Konkursi mund të gjendet në gazetat ditore në Republikën e Maqedonisë, si dhe në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, www.morm.gov.mk dhe Akademisë Ushtarake,www.ma.edu.mk.

Ky konkurs hap mundësi unike për secilin qytetar të ri të Maqedonisë që t’i testojë mundësitë e veta, kapacitetet dhe njohuritë dhe të jetë pilot ushtarak në Armatën e Republikës së Maqedonisë.